“Zonjat në video duhet të mbajnë përgjegjësi”, Selin Bollati: Kam dëgjuar se bashkëshortja e zotit Hila po i qëndron pranë në këto momente

Magazina

Mbrëmjen e së premtes ka nisur sezoni i ri i emisionit “Goca dhe Gra” në Top Channel, me katër bashkëmoderatore në tryezë. Kësaj here, Ori Nebijajt dhe Ema Andreas u janë bashkuar Selin Bollati dhe Orinda Huta. Pjesa e parë e programit u fokusua te diskutimi rreth publikimit dhe shpërndarjes në rrjet të videove intime, […]

Madhësia e shkronjave

Mbrëmjen e së premtes ka nisur sezoni i ri i emisionit “Goca dhe Gra” në Top Channel, me katër bashkëmoderatore në tryezë. Kësaj here, Ori Nebijajt dhe Ema Andreas u janë bashkuar Selin Bollati dhe Orinda Huta.

Pjesa e parë e programit u fokusua te diskutimi rreth publikimit dhe shpërndarjes në rrjet të videove intime, ku janë përfshirë disa personazhe të njohura të ekranit.

Gjatë diskutimit, Selin Bollati rikujtoi rastin e Beatriks Ramosajt në edicionin e parë të “Big Brother VIP”, duke argumentuar se mënyra se si shoqëria reagoi ndaj saj në atë kohë tregon, sipas saj, një standard të dyfishtë në mënyrën se si gjykohen situata të ndryshme.

“Jemi shoqëri hipokrite, nuk i trajtojmë të gjitha situatat njësoj. Beatriks në atë rast u kryqëzua dhe nuk u la gjë pa u thënë”, u shpreh Selin.

Ajo argumentoi se, edhe pse nuk është dakord me linçimin e grave të përfshira në videot intime, duhet të diskutohet edhe përgjegjësia e personave që kanë qenë pjesë e marrëdhënieve të tilla.

“Nuk po themi që t’i kryqëzojmë, përgjegjësia të ndahet, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ajo.

Selin iu referua gjithashtu situatës familjare të kompozitorit Adrian Hila, duke thënë se, sipas informacioneve që kishte dëgjuar, bashkëshortja e tij po i qëndronte pranë gjatë kësaj periudhe. Ajo e përshkroi rastin si një situatë ku, sipas saj, nuk mund të përdoret thjesht termi “gabim”, duke pasur parasysh moshën e personave të përfshirë.

Në anën tjetër, Orinda Huta kundërshtoi paralelizmin me rastin e Beatriks Ramosajt, duke argumentuar se fakti që një person është gjykuar ashpër në të kaluarën nuk do të thotë se shoqëria duhet të përsërisë të njëjtën sjellje.

“Nuk mund t’i paralelizojmë. Se kryqëzuam Beatriks, nuk mund ta bëjmë edhe tani. A nuk kemi të drejtë të ndryshojmë?”, tha Orinda.

Ajo shtoi se jeta dhe marrëdhëniet njerëzore nuk mund të shihen si një vijë e drejtë dhe se nuk është e drejtë që të përsëriten të njëjtat forma gjykimi ndaj grave të përfshira në situatën aktuale.

“Pse duhet të gabojmë me këto gra?”, pyeti ajo gjatë debatit.

Selin, ndërkohë, theksoi se nuk po kërkonte që gratë të bëheshin objekt i linçimit publik, por që përgjegjësia të trajtohej në mënyrë më të gjerë.

Debati mes moderatoreve vijoi me diskutimin rreth marrëdhënieve, përgjegjësisë personale dhe mënyrës se si shoqëria reagon ndaj rasteve që përfshijnë jetën private të personazheve publike.

Në një moment, Ori Nebijaj bëri një koment lidhur me gjendjen e një prej personave të përfshirë, ndërsa diskutimi vijoi mes moderatoreve. /Telegrafi/