Eksperimentet në grupe, ambiente të hapura dhe kultura të ndryshme treguan të njëjtin model: njerëzit priren të rrotullohen kundër akrepave të orës, edhe kur askush nuk i orienton
Kjo histori shkencore nisi, si shumë të tjera, krejt rastësisht. Gjatë pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, një ekip shkencëtarësh po studionte situata praktike – si lëvizin njerëzit në ambiente të mbyllura kur u kërkohet të mbajnë distancë?
Duke i analizuar incizimet vazhdimisht, ata vunë re një dukuri të pazakontë: pothuajse të gjithë pjesëmarrësit ecnin në rrathë që devijonin vazhdimisht në të njëjtin drejtim, kundër akrepave të orës. Edhe më e çuditshme ishte se askush prej tyre nuk ishte i vetëdijshëm se po e bënte këtë.
Ky vëzhgim nisi një hulumtim pesëvjeçar, me synimin për të zbuluar se çfarë fshihet pas këtij modeli të pavetëdijshëm të sjelljes njerëzore.

Djathtakët devijojnë më shpesh majtas, ndërsa mëngjarashët djathtas
Kur një grup njerëzish lihet të lëvizë lirshëm brenda një hapësire të mbyllur, pa ndonjë destinacion të caktuar, turma nis ngadalë të rrotullohet majtas. Askush nuk e drejton këtë lëvizje dhe askush nuk merr me vetëdije një vendim të tillë.
Për fizikanët, kjo dukej si shembull tipik i të ashtuquajturës “sjellje emergjente” – një model kolektiv që lind nga një numër i madh ndërveprimesh të vogla të individëve me mjedisin ose me njëri-tjetrin.
Hipoteza e parë e shkencëtarëve ishte se muret e hapësirës dhe dora dominante përcaktojnë drejtimin. Studime të mëhershme neuroshkencore kanë treguar se djathtakët devijojnë më shpesh majtas, ndërsa mëngjarashët djathtas, për shkak të dallimeve të vogla ndërmjet hemisferave të trurit.
Fizikanët supozuan se rrotullimi majtas ishte thjesht rezultat i prirjeve individuale të djathtakëve në kontakt me muret.
Për ta verifikuar këtë, organizuan një eksperiment të ri. Fillimisht testuan vullnetarët individualisht për të parë se në cilën anë devijonin kur i afroheshin murit, e më pas formuan grupe vetëm me mëngjarashë ose me persona që gjithmonë devijonin djathtas.
Pritja ishte që këto grupe të fillonin të rrotulloheshin në drejtim të akrepave të orës. Por kjo nuk ndodhi. Pavarësisht përbërjes së grupit, rrotullimi majtas, kundër akrepave të orës – vazhdonte.
Më pas eksperimentin e zhvendosën në një oborr shkolle të hapur, me sipërfaqe prej rreth 3.000 metrash katrorë, pa mure dhe pa pengesa. Efekti jo vetëm që nuk u zhduk, por u bë edhe më i theksuar.
Kultura dhe rregullat e trafikut nuk ndikojnë
Shkencëtarët më pas dyshuan te zakonet kulturore. Në Evropë dhe në Spanjë, ku nisi studimi, njerëzit gjatë kalimit zakonisht shmangen djathtas, duke lënë më shumë hapësirë në anën e majtë.
U supozua se në Japoni, ku trafiku zhvillohet në anën e majtë të rrugës, njerëzit duhej të rrotulloheshin në drejtim të akrepave të orës.
Në bashkëpunim me kolegët në Tokio, u zhvillua një eksperiment me pjesëmarrës japonezë. Hipoteza dështoi sërish – edhe grupi japonez lëvizte kundër akrepave të orës.
Hipoteza e fundit kulturore lidhej me zakonin e pistave të vrapimit. Për këtë arsye u testuan fëmijë të moshës parashkollore, të cilët ende nuk i kanë përvetësuar konvencionet e të rriturve. Te ta, prirja për të lëvizur majtas ishte më e theksuar se në çdo grup tjetër të testuar.
Përgjigjja duket se fshihet brenda vetë individit
Pasi u përjashtuan ndikimet e grupit, mjedisit dhe zakoneve shoqërore, mbeti vetëm një mundësi: një veçori e brendshme biomekanike ose neurologjike e individit.
Kur më shumë se 200 vullnetarëve iu kërkua të ecnin krejt vetëm në një arenë të zbrazët, pa askënd pranë tyre, shumica dërrmuese vazhdonte spontanisht të bënte rrathë majtas.
Madje, të dhënat e lëvizjes së vetëm një personi ishin të mjaftueshme që, përmes një modeli kompjuterik, të riprodhohej sjellja e të gjithë grupit.
“Sinqerisht, ende nuk e dimë se çfarë e shkakton saktësisht këtë prirje në nivel individual. Kemi kërkuar lidhje me dorën dominante, këmbën, syrin, gjininë dhe faktorë të tjerë, por nuk kemi gjetur asgjë”, pranojnë autorët e studimit.
Studimet me njerëz që ecin me sy të mbuluar tregojnë se mund të ekzistojnë asimetri të vogla në veshin e brendshëm, të cilat mund ta ndryshojnë lehtë ndjesinë tonë të drejtimit. Megjithatë, për momentin, shkenca ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.
Pavarësisht kësaj, fakti që kjo prirje duket se buron nga vetë individi është me rëndësi të madhe për projektimin e hapësirave publike, si aeroportet, stacionet hekurudhore dhe muzetë, ku orientimi i turmave është shumë i rëndësishëm.
Interesant është edhe fakti se, siç kujtojnë studiuesit, i njëjti impuls për të devijuar majtas shfaqet edhe në botën shtazore – te tufat e peshqve apo kolonitë e milingonave.
Kjo mund të tregojë se forca që e shtyn individin të kthehet majtas është shumë më e vjetër sesa vetë njerëzimi.




