Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se po pret që Shtetet e Bashkuara të caktojnë një datë për takimin e radhës të ekipeve negociatore, i cili tashmë duhet të jetë katërpalësh, duke përfshirë edhe Evropën.
Sipas agjencisë “Ukrinform”, presidenti ukrainas e bëri të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna.
“Ukraina ka bërë shumë për ta përfshirë plotësisht Evropën në procesin e paqes së bashku me Amerikën. Tani jemi në pritje që pala amerikane të caktojë datën për takimin e radhës, i cili duhet të jetë katërpalësh”, ka thënë Zelensky.
Duke folur për bashkëpunimin me Estoninë, ai vuri në dukje se Margus Tsahkna po vizitonte Kievin për herë të katërt vetëm gjatë këtij viti dhe kishte pasur mundësinë të shihte se si është përshkallëzuar agresioni rus gjatë kësaj periudhe.
“E informova atë lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Rusia po investon shumë në përpjekjet e saj për të shkatërruar normalitetin e jetës së përditshme. Kjo është arsyeja pse çdo gjë që forcon qëndrueshmërinë tonë është e rëndësishme. Diskutuam për ndihmën në sektorin e energjisë dhe për përgatitjet për Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e cila do të mbahet në Estoni në fillim të vitit të ardhshëm. Sigurisht, folëm edhe për negociatat dhe garancitë e sigurisë për të ardhmen”, citohet të ketë thënë Zelensky pas takimit.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Estonisë për mbështetjen që i jep Ukrainës në të gjitha fushat kyçe.
Kujtojmë se raundi i mëparshëm i bisedimeve trepalëshe midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u zhvillua në Abu Dabi më 10–11 nëntor.
Rezultatet kryesore të atij takimi përfshinin një marrëveshje për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të realizuar ndonjëherë, angazhimin për të vazhduar negociatat, si dhe një marrëveshje për të përfshirë përfaqësues evropianë në këtë proces. /Telegrafi/





