Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pasi një cisternë që transportonte karburant u përfshi nga zjarri në një aks rrugor në provincën e Gizës, në perëndim të kryeqytetit egjiptian, Kajros.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, zjarri shpërtheu të mërkurën në Unazën e Madhe të Kajros, në zonën Al-Warraq.
Në një njoftim të përditësuar, ministria bëri të ditur se numri i viktimave kishte arritur në 30, ndërsa 15 persona të plagosur janë dërguar në spitale për trajtim mjekësor.
Për përballimin e situatës dhe kryerjen e operacioneve të shpëtimit janë angazhuar 39 autoambulanca, shkruajnë mediat.
Fillimisht, autoritetet kishin raportuar për 10 persona të plagosur, nëntë prej të cilëve kishin pësuar djegie, ndërsa një tjetër kishte pësuar probleme nga thithja e tymit.
Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffar, po përcjell nga afër trajtimin e të lënduarve dhe ka urdhëruar spitalet pranë vendit të ngjarjes të rrisin gatishmërinë për pranimin e pacientëve.
Ndërkohë, ministrja e Solidaritetit Social, Maya Morsi, ka kërkuar mobilizimin e ekipeve të mbrojtjes sociale dhe Gjysmëhënës së Kuqe egjiptiane për t’u ofruar ndihmë personave të prekur nga tragjedia.
Sipas raportimeve të mediave shtetërore, ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll.
Pas marrjes së njoftimit për incidentin, forcat e sigurisë janë dërguar në vendngjarje, ndërsa autoritetet e trafikut kanë mbyllur përkohësisht rrugën dhe kanë organizuar devijimin e automjeteve për të shmangur kaosin dhe për të garantuar sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e zjarrit. /Telegrafi/






