Skandali i Nvidia-s tregon se gjigantët e teknologjisë nuk mund t’i shpëtojnë Trumpit

opinion

Rikthimi dramatik i Jensen Huangut tregon se fati i Luginës së Silicit mbetet i lidhur me Zyrën Ovale. Nga: Christopher Williams / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Dy javë më parë isha në Nju-Jork, pikërisht kur po shembej jeta e dyfishtë e Jensen Huangut – si shitës mikroçipash dhe si një Kazanova ndërkombëtar. Gjatë një pije […]

Madhësia e shkronjave

Rikthimi dramatik i Jensen Huangut tregon se fati i Luginës së Silicit mbetet i lidhur me Zyrën Ovale.

Nga: Christopher Williams / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com

Dy javë më parë isha në Nju-Jork, pikërisht kur po shembej jeta e dyfishtë e Jensen Huangut – si shitës mikroçipash dhe si një Kazanova ndërkombëtar. Gjatë një pije me një gazetar të rryer amerikan të ekonomisë, vura një lloj basti.

Sipas mendimit tim, thjesht nuk kishte asnjë mundësi që drejtori ekzekutiv i kompanisë më të vlefshme dhe më të rëndësishme në botë t’i mbijetonte skandalit të tij fraktal. Në çdo nivel, nga martesa e tij deri te gjeopolitika hemisferike, nëpërmjet departamentit të kontabilitetit të Nvidia-s dhe Kapitol Hillit, Huangu dukej se e kishte marrë veten në qafë, si dhe të gjithë të tjerët.

Miku im kishte një pikëpamje tjetër, të cilën e interpretova si një variant të bindjes se në botën e Trumpit “nuk ndodh kurrë asgjë”.

Kjo heuristikë ka zënë rrënjë në disa segmente të tregjeve të parashikimeve, të cilat vetë janë bërë simbol i një epoke të lakmisë amerikane. Sa u përket shkeljeve të kryera nga njerëzit e fuqishëm, “nuk ndodh kurrë asgjë” – ky është pranimi i faktit se ata gjithmonë ia dalin mbanë.

Përmes vështrimit të tillë, Huangu dhe Nvidia kishin rëndësi tepër të madhe ekonomike – dhe lidhje tepër të ngushta me një Shtëpi të Bardhë në rënie – që të binin për shkak të sjelljes së pahijshme edhe kur ajo cenon sigurinë kombëtare.

Sot po përpiqem ta shpall bastin të përfunduar në barazim. Huangu u shkarkua pa ceremoni, siç e prisja. Por, rënia pasuese e [bursës] Nasdaq-ut dhe, ndoshta, çfarëdo që diskutuan Donald Trumpi dhe Xi Jinpingu në Pekin, kanë dëshmuar se, në fund të fundit, nuk ndodh kurrë asgjë.

Huangu është rikthyer si drejtues i cirkut të IA-së [inteligjencës artificiale], disi i përulur. Ai u rishfaq në selinë e Nvidia-s pa ndonjërën prej xhaketave të tij elegante prej lëkure. Por, teksa po e rifiton vetëbesimin, nuk mund të jetë veçse çështje kohe para se të rikthehen edhe ato dhe ai ta plotësojë pamjen me pantallona që u përshtaten.

Nuk ndjeva se basti im po shkonte keq, deri pak para fundjavës që sapo kaloi. Pas Nju-Jorkut, një pjesë të javës së kaluar e kalova në Luginën e Silicit [Silicon Valley], në një konferencë të organizuar nga kompania e re mediatike Semafor, e thirrur për të shqyrtuar ndërthurjen e teknologjisë me politikën – që është tipari dallues i bumit të IA-së.

Ngjarja, e mbajtur në hotelin “Rosewood” në Palo Alto – vend i parapëlqyer i investitorëve të kapitalit sipërmarrës të cilët kanalizojnë para drejt kompanive të reja të Kalifornisë – nuk mund të ishte organizuar në një kohë më të përshtatshme për të kapur valët e lajmeve që përplaseshin mbi Nvidia-n dhe industrinë më të gjerë të teknologjisë.

Përveç papunësisë së papritur të Huangut, Lugina e Silicit ishte vetëm një ditë larg fitimit të saj më të madh ndonjëherë: ofertës publike fillestare (IPO) të Anthropic-ut. Disa nga pjesëmarrësit kishin investuar herët dhe nuk ngurronin që në tryezat e drekës këtë t’ua tregonin me zë të lartë miqve të tyre. Dëgjimi i emisionit Today, ku zhvillohej një debat i furishëm për reforma të vogla në disa pjesë të sistemit britanik të ndihmës sociale, ofronte një kontrast të hidhur.

Prisja që Lugina e Silicit të bashkohej në mbrojtje të Huangut. Kulti i themeluesit është i fortë dhe përputhet me pikëpamjen e Trumpit për historinë sipas teorisë së Njeriut të Madh. Ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, ku menaxherët profesionistë kalojnë nga një bord drejtues në tjetrin të kompanive të [indeksit] FTSE 100, duke i zhveshur kompanitë nga rreziku deri në vdekje, në këto qarqe qeverisja korporative është mendim dytësor krahasuar me rritjen dhe inovacionin.

Megjithatë, edhe në “Rosewood” nuk ishin krejtësisht të fuqishme thirrjet për rikthimin e Huangut në detyrë – nga një vëllazëri që ai kishte ndihmuar të pasurohej në përmasa galaktike. Sam Altmani i OpenAI-së, vetë i shkarkuar dhe i rikthyer në detyrë tri vjet më parë – për shkak të shqetësimeve në dukje etike – e lavdëroi drejtuesin e Nvidia-s, por nuk pranoi të thoshte se ai duhej ta rimerrte vendin e punës.

Jeff Bezosi i madh, që këto ditë flet me baritonin e ngjirur të një mundësi profesionist, mbajti një qëndrim të ngjashëm, duke e këshilluar Nvidia-n të mos kërkonte jashtë kompanisë ndonjë drejtor të ri ekzekutiv – por, pa bërë thirrje për rikthimin e Huangut në detyrë.

Mbështetja më e zëshme erdhi nga David Sacks, ish-cari i IA-së i Trumpit, i cili dyshonte për një komplot të rrjeteve të fshehta të pushtetit për ta shkarkuar Huangun. Nvidia kishte bërë fushatë për të vazhduar shitjen e mikroçipave për Partinë Komuniste Kineze. Megjithatë, Sacks la të kuptohej se do ta rezervonte gjykimin përfundimtar për rikthimin e Huangut derisa të ndiqej procedura e rregullt ligjore.

Madje, edhe Bill Ackman, miliarderi dhe ish-investitori aktivist, dukej se i kishte zbutur kërkesat për kthesë të plotë të vendimit që ai kishte bërë në rrjetet sociale. Në skenën e “Rosewood”-it, mbështetja e tij shoqërohej me rezerva për shkak të pasigurisë lidhur me pasojat ligjore të disa prej transaksioneve të Huangut me Megaspeed-in – importuesin e mikroçipave me seli në Singapor dhe punëdhënësin e gruas kineze që dyshohet se kishte shërbyer si kurth joshës.

Kujdesi që dëgjova pasqyronte pjesërisht nevojën e industrisë së teknologjisë për t’u larguar me hapa të kujdesshëm nga administrata e Trumpit – pas katastrofës së tij në zgjedhjet për Kongres.

Afera (ose aferat) e Huangut do të hetohet nga një Kongres demokrat, në pritje të një presidenti demokrat në vitin 2028, i cili ndoshta do të përpiqet ta zhvillojë më tej narrativën kundër IA-së, kundër qendrave të të dhënave dhe kundër miliarderëve – e cila doli bindëse për shumë amerikanë në kabinat e votimit. Papritmas, Lugina e Silicit dhe Uashingtoni mund të jenë në një konflikt në vend të partneritetit.

Nuk ka dyshim se Huangu është historia më e bujshme e epokës së IA-së. Është ajo për të cilën ka dëgjuar edhe gjyshja jote dhe që i ka të gjitha: seks, spiunë, gënjeshtra, shumë para, teknologji të përparuar dhe pushtet global – të gjitha të mbuluara me gjurmët e gishtërinjve të Trumpit.

Mund të interpretohet në të paktën dy mënyra vendimi i Trumpit për ta shpërfillur atë kërcënim politik dhe për ta rikthyer faktikisht Huangun në detyrë nga Zyra Ovale.

Sipas një versioni interesant, ky është një hap i madh në rrugën drejt oligarkisë. Sipas këtij këndvështrimi, skandali i Nvidia-s e paraqet biznesin e madh amerikan si një strukturë më të njohur për Viktor Orbánin sesa për Ronald Reaganin. Tekefundit, emërimi dhe shkarkimi i drejtorëve ekzekutivë të kompanive teknologjike, gjoja private, është diçka që bën Xi.

Ose, veprimi ekzekutiv i Trumpit është thjesht një shenjë se ai është i gatshëm të sakrifikojë popullaritetin që i ka mbetur dhe të ardhmen e Partisë Republikane për ta mbajtur gjallë tregtimin e aksioneve të IA-së nëpër tregje.

Aksionet e Nvidia-s sigurisht që u rimëkëmbën vrullshëm. Por, mbeten dobësitë e transaksioneve të borxhit qarkor që Huangu garantonte, si dhe detyrimet marramendëse financiare me të cilat përballen ofruesit e IA-së.

Potenciali ekonomik i teknologjisë është i jashtëzakonshëm, por bumi shoqërues i investimeve me siguri nuk mund të mbahet edhe për dy vjet në një botë me norma interesi që janë në rritje.

Rezultatet financiare të Nvidia-s, të publikuara gjatë interegnumit, ishin të forta, por përmbanin disa shenja paralajmëruese – përfshirë mungesën e një deklarimi të kërkuar nga rregullatorët.

Pra, ose rikthimi i Jensen Huangut është fundi i demokracisë, ose një demonstrim i pamatur i pushtetit të pakësuar të një presidenti në largim që përplas krahët drejt katastrofës ekonomike.

Bastin tim do ta mbaj për vete, por sido që të jetë, gjigantët e teknologjisë [Big Tech] do ta kenë të vështirë të distancohen nga Trumpi. /Telegrafi/