Zayn Malik ka anuluar 22 data të turneut në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, pasi u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje të panjohur.
Ish-këngëtari i One Direction, 33 vjeç, bëri të ditur se është kthyer në shtëpi dhe se po rikuperohet mirë, pas shtrimit të tij në spital muajin e kaluar, shkruan DailyMail.
Në një përditësim të ri shëndetësor të publikuar të premten, Zayn njoftoi se turneu i tij më i madh solo deri më tani, i cili parashihej të kishte 31 koncerte, është reduktuar në vetëm nëntë shfaqje, teksa ai vazhdon procesin e rikuperimit.
Ai ishte planifikuar ta niste turneun në Manchester më 12 maj, të performonte në Glasgow më 16 maj, më pas në Birmingham më 19 maj dhe në Londër më 23 maj.
Megjithatë, sipas ndryshimeve të fundit, turneu do të nisë tani në Londër, ndërsa koncerti i riplanifikuar në Manchester do të mbahet një ditë më pas.
Përmes Instagram Stories, këngëtari shkroi: “Për fansat e mi: faleminderit shumë për gjithë mbështetjen dhe dashurinë që më keni treguar për publikimin e albumit, por mbi të gjitha për dashurinë, lutjet dhe urimet për shëndetin tim. I kam ndier dhe kanë pasur vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Jam në shtëpi duke u rikuperuar, jam mirë dhe do të bëhem edhe më i fortë se më parë.
Më është dashur t’i rishikoj angazhimet e muajve në vijim dhe ta zvogëloj numrin e koncerteve të ‘KONNAKOL Tour’. Dua të sigurohem që të dal e t’ju takoj sa më shumë prej jush që të mundem.
Jam shumë i emocionuar të luaj këto koncerte për ju dhe shpresoj t’ju shoh edhe pjesën tjetër të botës shumë shpejt”.
Zayn po përgatitej për turneun e tij më të madh solo me 31 data në mbarë botën kur u sëmur.
Ai kishte njoftuar më herët koncerte në arena dhe stadiume në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Meksikë, ndërsa turneu duhej të përfundonte në Miami (Florida), në Kaseya Center, më 20 nëntor.
Ky turne shihej si një hap i madh në karrierën e Zayn, i cili në të kaluarën kishte anuluar data koncertesh për shkak të “ankthit ekstrem”.
Ndërsa koncertet në Glasgow dhe Dublin janë anuluar, Zayn pritet të performojë ende në Meksikë, Argjentinë, Kili, Peru dhe Brazil.
Para shtrimit në spital, Zayn ishte vënë nën vëmendje pasi u raportua se ai kishte goditur me grusht ish-shokun e bandës One Direction, Louis Tomlinson (34 vjeç), gjatë xhirimeve të një dokumentari të Netflix.
Sipas raportimeve, Zayn dhe Louis kishin nënshkruar një marrëveshje shumë të madhe financiare për të udhëtuar në SHBA, ku do të flisnin për jetën e tyre dhe do të rikthenin kujtime nga koha në grup. Por, sipas The Sun, projekti është anuluar pasi dyshja u përfshi në një përplasje fizike – ku Zayn dyshohet se e goditi Louis në fytyrë, duke i shkaktuar tronditje (concussion) dhe duke e detyruar të kërkonte trajtim mjekësor.
Thuhet se ata nuk kanë folur që nga incidenti, i cili dyshohet të ketë ndodhur gjashtë muaj më parë. Louis duket se e konfirmoi përçarjen, pasi e hoqi nga lista e ndjekjes në rrjete sociale ish-shokun e bandës. Pas lajmit për grushtin, Louis e bëri “unfollow” Zayn në Instagram, ndërsa Zayn ende e ndjek Louis – një nga vetëm 17 personat që ai ndjek.
Ndërkohë, më herët gjatë kësaj jave, familja e Zayn kërkoi që fansat të ndalonin dërgimin e kërkesave për buqeta lulesh në një luleshitës lokal, si falënderim për punën bamirëse që ata kanë bërë gjatë Ramazanit.
Kushërira e tij, Sasha, doli publikisht për të falënderuar njerëzit për mirënjohjen, pasi familja ishte “mbingarkuar” nga lulet gjatë Ramazanit, duke thënë se ata “e vlerësojnë sinqerisht dashurinë”.
Në një postim në Instagram Story të mërkurën, ajo shkroi: “Jemi shumë mirënjohës për të gjithë ata që na kanë kontaktuar për të dërguar buqeta! Logjistikisht, thjesht nuk funksionon…”
Si alternativë, ajo sugjeroi: “Por ju vlerësojmë pafund — ju lutem, dhuroni çfarë të dëshironi në emër të Zayn për The Palestine Project!”
Postimi përfshinte edhe një njoftim nga luleshitësja e zonës North West, The Hidden Bouquet, i aprovuar nga familja Malik.
Në njoftim thuhej se për shkak të numrit të madh të kërkesave, ata nuk mund të pranojnë më porosi për momentin dhe se, nëse fansat duan të bëjnë një gjest kuptimplotë, familja do ta vlerësonte më shumë një donacion për “The Palestine Project”, duke i ftuar të dhurojnë shumën që do të kishin shpenzuar për buqetën dhe të lënë një mesazh mbështetës. /Telegrafi/






