Dy YouTuber-ë austriakë kanë publikuar një video ku pretendojnë se tregojnë hyrjen e tyre të paautorizuar në aeroportin ushtarak “Milenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit.
Videoja i shfaq ata duke u ngjitur mbi aeroplanë ushtarakë dhe duke lëvizur lirisht nëpër kompleks, transmeton Telegrafi.
Videoja, e publikuar në kanalin “Roofless TV”, ka regjistruar më shumë se gjysmë milioni shikime brenda pak ditësh.

Autorët deklarojnë se një pjesë e pamjeve vjen nga Kazakistani, pas së cilës veprimi zhvendoset në Serbi.
Shfaqen pamje të dy të rinjve, të cilët fillimisht filmojnë aeroplanët jashtë gardhit dhe më pas hyjnë brenda vetë objektit ushtarak.
Të rinjtë vizituan aeroplanë që dukshëm nuk janë më në përdorim, hynë në disa prej tyre dhe i filmuan ato. Në një moment, ata regjistruan uljen e një aeroplani.
Nga materiali i publikuar kuptohet se ata nuk takuan asnjë punonjës gjatë qëndrimit të tyre në zonën e mbrojtur. Mbetet e paqartë se si arritën të hynin në zonën e aeroportit ushtarak.
Autorët e kanalit “Roofless TV” janë dy të rinj nga Vjena, të cilët e përshkruajnë veten si eksplorues të vendeve të fshehura.
Kanali njihet për eksplorimet e ashtuquajtura “urbex” (eksplorim urban) të zonave të braktisura dhe të ndaluara, si dhe për ushtrime të stilit “parkour”.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe policia ende nuk kanë komentuar mbi rastin. Aeroporti ushtarak i Batajnicës ndodhet njëzet kilometra larg Beogradit.
Ai u ndërtua midis viteve 1947 dhe 1951 dhe sot aty ndodhet baza ajrore 204 e Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë Serbe. /Telegrafi/





