Ylli i Barcelonës i vendos ultimatum klubit për situatën e kontratës

Sport

Sulmuesi i Barcelonës, Ferran Torres, mbetet një nga pikëpyetjet kryesore në skuadrën katalanase për sezonin e ardhshëm, pasi klubi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Largimi i mundshëm i Robert Lewandowskit duket se e afron Torresin me qëndrimin në “Camp Nou”, por sulmuesi spanjoll raportohet se dëshiron ta marrë […]

Madhësia e shkronjave

Sulmuesi i Barcelonës, Ferran Torres, mbetet një nga pikëpyetjet kryesore në skuadrën katalanase për sezonin e ardhshëm, pasi klubi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.

Largimi i mundshëm i Robert Lewandowskit duket se e afron Torresin me qëndrimin në “Camp Nou”, por sulmuesi spanjoll raportohet se dëshiron ta marrë vetë në dorë fatin e tij.

Kontrata e Torres skadon pas pak më shumë se një viti, çka do t’i lejonte atij të firmoste paraprakisht me një klub tjetër që nga janari i ardhshëm.

Një situatë e tillë do ta ulte ndjeshëm edhe vlerën e tij në treg në rast se Barcelona vendos ta shesë gjatë verës. Alternativa tjetër mbetet rinovimi i kontratës dhe lidhja afatgjatë me klubin katalanas.

Sipas raportimeve nga “Sport”, Torres i ka vendosur ultimatum Barcelonës lidhur me të ardhmen e tij.

Mes zërave se klubi blaugrana e ka ofruar lojtarin te skuadra të tjera, qoftë për transferim të drejtpërdrejtë apo si pjesë shkëmbimi në negociata, futbollisti ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e asnjë operacioni transferimi këtë verë.

Opsionet, sipas tij, janë vetëm dy: ose do të largohet falas verën e ardhshme, ose do të firmosë kontratë të re dhe do ta vazhdojë karrierën te Barcelona.

Barcelona pagoi rreth 55 milionë euro për transferimin e Torres nga Manchester City, ndaj humbja e tij me parametra zero në kulmin e karrierës do të konsiderohej një dështim financiar dhe sportiv për klubin.

Forma e tij këtë sezon ka shkaktuar debate mes tifozëve dhe opinionit sportiv në “Camp Nou”, sidomos për rolin e tij si sulmues qendror.

Një pjesë e konsiderojnë të aftë për të udhëhequr repartin ofensiv, ndërsa të tjerë mendojnë se niveli i tij nuk mjafton për objektivat e Barcelonës.

Gjatë këtij sezoni, Torres ka regjistruar 21 gola dhe 2 asistime në 48 paraqitje, prej të cilave 30 si titullar.

Ai gjithashtu ka munguar vetëm në gjashtë ndeshje gjatë gjithë kampionatit.

Vendimi final mund të varet nga kërkesat financiare dhe sportive që sulmuesi do t’i paraqesë klubit katalanas për të rinovuar kontratën. /Telegrafi/