Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga deputetët të votojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se miratimi i ligjit nuk duhet të kushtëzohet me, siç i quajti, pazare politike për çështjen e presidentit.

Sipas tij, asnjë deputet nuk do të ketë mundësi të dalë nga Kuvendi pa miratuar ligjin në lexim të dytë.
“Politika jonë, përfaqësuesit tanë kanë zgjedhur të mos e kenë ligjin për prioritet, por me ligjin e UÇK-së të kushtëzojnë pozicionet e tyre politike. Unë u bëj thirrje të gjithë deputetëve atje brenda që mos të luajnë me gjakun e Adem Jasharit dhe Hamëz Jasharit. Mos ta kushtëzojnë ligjin për UÇK-në me poste të presidentit… Nuk do të ketë mundësi asnjë deputet të dalë pa shkelur mbi trupat tanë. Do të shtrihemi në tokë, le të na shkelin neve dhe të vazhdojnë te familjet e tyre”, tha ai.
Sot, në Kuvendin e Kosovës me 91 vota për e asnjë kundër, është votuar në leximin e parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit te specializuar.
Gjithashtu në këtë seancë janë miratuar edhe disa projektligje të tjera.





