Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani shprehu shqetësim, duke pretenduar se në Tabanoc janë vendosur tabela shtetërore pa gjuhën shqipe.
“Sot, pa fije shqetësimi, u vendosën tabela shtetërore pa gjuhën shqipe në Tabanoc. Ndoshta dikush mendon se po e shoh këtë si mundësi për opozitarizëm. Sinqerisht, sot nuk kam as vullnet e as dëshirë për politikë. Jam jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe i shqetësuar. Sepse gjuha shqipe nuk është e një partie. Është e jona. Është ajo që na tregon se edhe ne i përkasim këtij shteti, se edhe ky shtet është i yni. Po ju drejtohem edhe juve që e keni mbështetur VLEN-in. Po ju drejtohem edhe miqve të mi maqedonas që po heshtin. Sot po hiqet prezenca jonë nga dyert e shtetit. A do ta normalizojmë këtë marrëzi?”, shkroi Osmani.
Pas këtij reagimi, ka ardhur kundërpërgjigjja e VLEN-it, i cili i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke i cilësuar ato si dezinformim, ata kanë publikuar foto dhe video se gjuha shqipe figuron në Tabelën në vendkalimin kufitar Tabanocë.
“Bujar Osmani sot ngriti alarm për ‘zhdukjen’ e gjuhës shqipe në Tabanoc. Ndërkohë, pamjet nga vendkalimi kufitar tregojnë të kundërtën. Gjuha shqipe është aty, e vendosur dhe e respektuar, ashtu siç duhet. Më pak dezinformim, më shumë fakte”, thuhet në reagimin e VLEN-it.






