Deficiti buxhetor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës arriti në 1.99 trilionë dollarë në vitin fiskal 2026, duke shënuar nivelin më të lartë në pesë vjet dhe duke vënë në pikëpyetje premtimet e presidentit amerikan, Donald Trump për uljen e shpenzimeve qeveritare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti amerikan i Thesarit, deficiti u rrit për 217 miliardë dollarë krahasuar me vitin paraprak, kur kishte arritur në 1.78 trilionë dollarë. Kjo është shifra e tretë më e lartë e deficitit vjetor në historinë e vendit.
Gjatë vitit fiskal që përfundoi më 30 shtator, shpenzimet federale arritën në një rekord prej 7.4 trilionë dollarësh, 6 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, të ardhurat e qeverisë u rritën për 3 për qind, duke arritur në 5.4 trilionë dollarë, shkruan newyorktimes.
Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen e deficitit ishte kostoja gjithnjë e më e lartë e shërbimit të borxhit publik. Shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 1.36 trilionë dollarë, një rekord i ri dhe një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Presion shtesë mbi buxhetin krijuan edhe të ardhurat më të ulëta nga tarifat doganore. Pas një vendimi të Gjykatës Supreme amerikane që rrëzoi një pjesë të tarifave të vendosura nga Trumpi, qeveria u detyrua të kthejë rreth 145 miliardë dollarë. Si pasojë, të ardhurat neto nga tarifat ranë për 11 për qind, në rreth 173 miliardë dollarë.
Deficiti përbënte rreth 6.2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së, krahasuar me 5.8 për qind në vitin fiskal 2025. Ndërkohë, borxhi kombëtar amerikan kishte kaluar tashmë shifrën prej 40 trilionë dollarësh.
Shifrat nxjerrin në pah vështirësitë e administratës Trump për të frenuar rritjen e deficitit, pavarësisht premtimeve për disiplinë fiskale dhe ulje të shpenzimeve. Rritja e kostove të borxhit dhe zgjerimi i shpenzimeve federale vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi financat publike të SHBA-së. /Telegrafi/






