Uk Lushi, aktivist dhe veprimtar në SHBA, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë Albin Kurti e di verdiktin e Speciales për katërshen e UÇK-së, i cili vendim do të shpallet më 16 shtator.
Sipas Lushit, Albin Kurti është informuar nga sponsorët e tij në Berlin dhe Londër.
“Albin Kurti e di verdiktin e Speciales. Ai është informuar nga sponzorët e tij në Berlin dhe Londër”, ka shkruar shkurt Uk Lushi në Facebook.
Aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – do të shpallet më 16 shtator të këtij viti nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Trupi gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e aktgjykimit për 16 shtator në orën 10:00.
Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt të këtij viti, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagën nga viti 2020.
Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë, Hagë, Shqipëri e Shkup.
Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në për ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Po kështu edhe më 12 shtator do të mbahet një marsh protestues në Prishtinë prej orës 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.






