Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar emërimin e William Pultes si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, duke i besuar atij drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë amerikane.
Njoftimi u bë nga vetë Trump, i cili tha se Pulte do të marrë përkohësisht drejtimin e komunitetit amerikan të inteligjencës, ndërsa do të vazhdojë njëkohësisht të ushtrojë detyrën e drejtorit të Agjencisë Federale për Financimin e Strehimit (FHFA).
Presidenti amerikan e vlerësoi përvojën e Pultes në administrimin e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe të financimit të strehimit, duke theksuar se ai ka menaxhuar një nga fushat më të ndjeshme të ekonomisë amerikane. Sipas Trumpit, kjo përvojë e bën atë të përshtatshëm për të marrë përgjegjësi të reja në nivel kombëtar.
Pulte do të mbetet gjithashtu në krye të institucioneve hipotekare amerikane Fannie Mae dhe Freddie Mac, dy organizata që luajnë rol kyç në tregun e kredive për banesa në SHBA. Trump tha se ruajtja e këtyre funksioneve do të sigurojë vazhdimësi në menaxhimin e sektorit të strehimit.
Emërimi vjen pas vendimit të Tulsi Gabbard për t’u larguar nga posti i Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare. Gabbard kishte konfirmuar në muajin maj se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi më 30 qershor.
Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare koordinon punën e agjencive kryesore të inteligjencës amerikane, përfshirë “Central Intelligence Agency” (CIA), National Security Agency dhe agjenci të tjera që merren me mbledhjen dhe analizimin e informacionit për sigurinë kombëtare.
Nuk janë bërë ende të ditura arsyet që çuan në largimin e Gabbardit, ndërsa administrata Trump nuk ka njoftuar nëse Pulte do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme apo kandidat për ta drejtuar institucionin në mënyrë të përhershme.
Emërimi i tij vjen në një periudhë sfiduese për politikën e jashtme dhe sigurinë amerikane, me tensione të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, konkurrencë strategjike me fuqitë globale dhe shqetësime në rritje lidhur me kërcënimet kibernetike. /Telegrafi/






