Trepça ka vazhduar dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur sërish kampione. Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, mitrovicasit e mposhtën Bashkimin me rezultat 98:78 në ndeshjen e katërt finale, duke e mbyllur serinë me 4:0.
Për Trepçën, ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht, çka e ngjit në pozitën e skuadrës së dytë më të suksesshme në Kosovë. Me këtë triumf, Trepça e kalon Pejën (6 tituj), ndërsa në krye të listës mbetet Sigal Prishtina me 14 tituj.
Trepça i ka fituar titujt kampion në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024, 2025 dhe tani edhe në këtë edicion. Në anën tjetër, Bashkimi mbetet me vetëm një titull kampioni, të fituar në vitin 2018, ndërsa kjo ishte finalja e dytë radhazi ndaj Trepçës, pas humbjes edhe në edicionin e kaluar.
Sa i përket serisë finale, Trepça i fitoi dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë me rezultat 84:79 dhe 93:83, në një atmosferë me mbi tre mijë shikues. Ndeshja e tretë, të dielën në Prizren, u fitua sërish nga “xehetarët” 84:80, duke e afruar titullin shumë pranë.
Finalja e së mërkurës nisi më mirë për Bashkimin, që krijoi epërsi të shpejtë 9:0 e më pas 11:2, por Trepça reagoi shpejt dhe e barazoi rezultatin në 13:13 pesë minuta para fundit të çerekut të parë.
Më pas, skuadra e trajnerit Adis Beqiragiq kaloi në epërsi dhe nuk e lëshoi më deri në fund.
Trepça e mbylli çerekun e parë me 30:22, ndërsa në pushim shkoi me 12 pikë dallim (52:40). Epërsia u thellua edhe më shumë pas çerekut të tretë (77:63) dhe mitrovicasit e kontrolluan ndeshjen deri te fitorja e madhe 98:78, pa lejuar befasi në fund.
Në rrugën drejt finales, Trepça e eliminoi Pejën në gjysmëfinale, ndërsa Bashkimi kaloi Borën e Prishtinës.
Për “xehetarët”, ky sezon konfirmon edhe një herë supremacinë, pasi muaj më parë, pikërisht ndaj Bashkimit, Trepça e fitoi edhe Kupën e Kosovës – për herën e pestë rresht dhe të nëntën në histori. /Telegrafi/






