Tre shtyllat e mbrojtjes së Kosovës, Irlanda nuk gjeti rrugë drejt portës

Sport

Kosova e nisi Ligën e Kombeve me fitore 1-0 ndaj Irlandës, por përtej golit të Vedat Muriqit, një prej pikave më të forta të skuadrës së Franco Fodës ishte paraqitja e repartit defensiv. Treshja Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Albian Hajdari e mbajti në distancë sulmin irlandez, i cili gjatë 90 minutave pati jashtëzakonisht pak […]

Madhësia e shkronjave

Kosova e nisi Ligën e Kombeve me fitore 1-0 ndaj Irlandës, por përtej golit të Vedat Muriqit, një prej pikave më të forta të skuadrës së Franco Fodës ishte paraqitja e repartit defensiv.

Treshja Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Albian Hajdari e mbajti në distancë sulmin irlandez, i cili gjatë 90 minutave pati jashtëzakonisht pak hapësira dhe mundësi për të rrezikuar portën e Arijanet Muricit.

Irlanda e mbylli ndeshjen me vetëm tri goditje, prej të cilave vetëm një në kuadrat.

Në qendër të mbrojtjes, Ilir Krasniqi ishte një prej lojtarëve më aktivë në duelet fizike. Sipas të dhënave të Sofascore, ai përfundoi ndeshjen me 11 duele të zhvilluara, gjashtë të fituara, dy ndërhyrje dhe një ndërprerje të aksionit.

Përveç punës në duele, Krasniqi u tregua i qetë edhe kur topat mbeteshin në zonat e rrezikshme, duke i larguar me zgjuarsi dhe duke mos i dhënë mundësi Irlandës të ndërtonte aksione të dyta.

Në anën tjetër, Albian Hajdari ishte lojtari që kontriboi më së shumti në qarkullimin e topit nga prapa.

Mbrojtësi i Kosovës realizoi 84 pasime, 73 prej tyre të sakta, duke qenë një pikë e rëndësishme në nisjen e aksioneve. Hajdari pati edhe tri ndërprerje të aksioneve dhe një ndërhyrje, ndërsa në tetë duele doli fitues në dy raste.

Nota e tij nga Sofascore ishte 7.6, njëjtë sikurse ajo e Krasniqit.

Edhe Lumbardh Dellova dha kontribut të rëndësishëm në të dyja fazat.

Ai përfundoi me 64 pasime, 54 të sakta, ndërsa fitoi pesë nga nëntë duelet e zhvilluara dhe regjistroi tri ndërhyrje.

Dellova nuk u kufizua vetëm në largimin e topave dhe luftën fizike, por ishte pjesë e rëndësishme e qarkullimit të topit dhe ndërtimit të aksioneve nga thellësia. Sofascore e vlerësoi me 7.4.

Kjo treshe nuk e bëri vetëm punën klasike të mbrojtësve.

Hajdari dhe Dellova shpesh e nisën lojën me pasime të sigurta dhe të qeta nga prapa, ndërsa Krasniqi ishte shumë i kujdesshëm në momentet kur topi largohej nga kontrolli i Kosovës.

Në këtë mënyrë, Kosova arriti të mbajë Irlandën larg zonës së saj dhe të rikthehej shpejt në kontrollin e topit.

Në fakt, satistikat e përgjithshme e tregojnë qartë se sa e vështirë ishte mbrëmja për sulmin e Irlandës. Kosova pati 57 për qind posedim, 21 goditje ndaj vetëm tri të Irlandës, ndërsa në kuadrat regjistroi tetë goditje kundrejt vetëm një të mysafirëve.

Irlanda pati vetëm tri goditje brenda zonës, ndërsa Kosova 13.

Në këtë strukturë mbrojtëse, edhe Arijanet Muric pati një mbrëmje relativisht të qetë.

Portieri i Kosovës u vlerësua me 7.1 nga Sofascore dhe regjistroi një pritje, pasi Irlanda pothuajse nuk arriti ta shqetësonte seriozisht.

Megjithatë, Muric ishte i sigurt në daljet e tij dhe kontriboi në menaxhimin e aksioneve që vinin nga topat e gjatë.

Në fund, Kosova mori një fitore minimale në rezultat, por paraqitja ishte shumë më bindëse sesa tregon shifra 1-0.

Treshja Dellova–Krasniqi–Hajdari e mbylli qendrën, ndërsa Muric pothuajse e shijoi ndeshjen si spektator, me vetëm një ndërhyrje të nevojshme gjatë gjithë takimit.

“Sot më pëlqeu reparti defensiv. Nuk krijuan asnjë mundësi irlandezët. Më pëlqeu qetësia sidomos pas pjesës së parë u thash të qëndrojnë të qetë dhe goli do të vij. Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me krahët”, ishte vlerësimi për treshen e mbrojtjes nga Franco Foda.

Për Fodën, kjo është një pikë shumë e rëndësishme përpara ndeshjeve të ardhshme: Kosova jo vetëm që krijoi shumë më tepër se kundërshtari, por arriti edhe ta mbajë të izoluar sulmin irlandez për pothuajse tërë ndeshjen. /Telegrafi/