Brahim Diaz është futur në listën e dëshirave të tre klubeve të mëdha italiane, Milanit, Juventusit dhe Romës, të cilat po monitorojnë situatën e tij te Real Madridi në prag të afatit kalimtar të ardhshëm.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, të tre klubet italiane po ndjekin nga afër situatën e reprezentuesit maroken, i cili ka kontratë me Real Madridin deri në qershor të vitit 2027.
Megjithatë, deri më tani nuk është arritur marrëveshje për rinovimin e saj.
Milani është klubi që po tregohet më aktiv në përpjekjet për ta bindur Brahim Diazin të rikthehet në “San Siro”.
27-vjeçari ka luajtur për Milanin në formë huazimi nga viti 2020 deri në 2023, duke regjistruar 124 paraqitje zyrtare me fanellën kuqezi.
Drejtuesit e Milanit shpresojnë të përfitojnë nga situata e lojtarit për ta transferuar atë pa paguar një tarifë për Real Madridin, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Megjithatë, Brahim Diaz ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Në garë për mesfushorin ofensiv janë edhe Juventusi dhe Roma, të cilat tashmë kanë zhvilluar kontakte joformale me rrethin e lojtarit për të mësuar më shumë rreth kërkesave të tij.
Një pikë kyçe në këtë histori do të jetë fillimi i vitit 2027. Nëse Real Madridi nuk arrin të rinovojë kontratën e tij deri më 1 janar 2027, Brahim Diaz do të mund të negociojë një marrëveshje paraprake me një klub tjetër për t’u transferuar si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.
Sipas raportimeve, përfaqësuesit e Brahim Diazit pritet të zhvillojnë një takim me drejtuesit e Real Madridit gjatë pushimit ndërkombëtar të tetorit 2026, ku mund të hidhen hapat e parë për të ardhmen e lojtarit.
Në rast se nuk arrihet marrëveshje për rinovim deri në fund të vitit, Milani, Juventusi dhe Roma pritet të intensifikojnë përpjekjet për ta bindur Brahim Diazin, me synimin për ta siguruar atë pa kosto transferimi. /Telegrafi/






