Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të mbetet në ngërç, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë. Analistët vlerësojnë se procesi i deritanishëm ka dështuar dhe kërkojnë dialog të ri mbi baza të barabarta, ndërsa si kusht për vazhdimin e tij theksojnë përmbushjen e obligimeve nga Serbia dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit para drejtësisë kosovare.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka kohë që ka ngecur. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë, deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Së fundmi, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura, veçanërisht Marrëveshjen e Ohrit.
Pas konstituimit të institucioneve të Kosovës, tanimë dialogu është rikthyer në qendër të diskutimeve publike. Megjithatë, marrëveshjet e arritura ndër vite dhe vetë procesi i dialogut vazhdojnë të kritikohen nga njohës të çështjeve kushtetuese dhe analistë politikë.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se procesi i deritanishëm ka dështuar dhe se një dialog i ri duhet të zhvillohet mbi baza të reja, me barazi të plotë ndërmjet palëve.
Sipas tij, është dëmtuar edhe besueshmëria e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues.
“Janë mbi 41 marrëveshje, secila më e dëmshme se tjetra për Kosovën, po ato kanë rënë, dialogu ka rënë, d.m.th. ka vdekur. Thjesht duhet edhe ndërmjetësimi i BE-së dhe besueshmëria në atë ndërmjetësim ka rënë me këtë që kanë bërë, duke na dënuar gjithë historinë tonë dhe ardhmërinë tonë dhe rrënjët dhe themelet e shtetit me këtë aktgjykim. Me Serbinë s’kemi çka diskutojmë, sepse asnjë rezultat nuk ka prodhuar dhe as nuk do të prodhojë”, tha Baraliu.
Edhe analisti Dorajet Imeri e sheh si të pamundur vazhdimin e dialogut në rrethanat aktuale.
“Është i pamundur dhe nuk do të mund të vijojë për aq kohë sa Serbia e ka këtë qasje. Serbia duhet të njohë realitetin e ri, të dorëzojë para institucioneve të drejtësisë kosovare Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij, sepse tani ka një aktakuzë të ngritur për së paku dy krime, një për terrorizëm dhe një për krime lufte. Ai nuk mund të jetë i lirë në sheshet e Serbisë dhe Serbia të pretendojë se do të ketë normalizim të raporteve me Kosovën. Kjo çështje tanimë është e ditur”, tha Imeri.
RTK-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në transmetimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, në një takim të zhvilluar në korrik me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv, paqes së qëndrueshme dhe respektimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Takimi i fundit i nivelit të lartë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u mbajt më 26 qershor 2024 në Bruksel, ndërsa takimi i fundit trepalësh në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua më 11 shtator 2025.






