Replika, përplasje verbale e fizike ka pasur sot në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetëve të PDK-së, AAK-së me ata të LVV-së.
Kuvendit sot kishte hapur dyert për bashkatdhetarë, ndërsa PDK duke kërkuar mbajtjen e seancës konstituive kishte paralajmëruar se sot nga ora 11:00 do të jenë në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një postim në Facebook shkruan se Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale të askujt. Albin Kurti po e zvarrit procesin, sepse konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish kalkulimet politike. Sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë”, shkruan Hamza.
Sipas tij, kjo është kapje brutale e shtetit, shkelje e Kushtetutës dhe degradim i institucionit të të zgjedhurve të popullit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime që zbatohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit. Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet. Nëse dikush mendon se mund ta mbajë Kosovën në anarki kushtetuese dhe ligjore për t’i realizuar kalkulimet e veta elektorale, gabon rëndë. Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë!”, shkruan ai. /Telegrafi/






