Në Kuvend janë shpeshherë fare pranë njëri-tjetrit, por përfaqësuesit e partitive më të mëdha politike, vazhdojnë të mos takohen për ta diskutuar çështjen e Presidentit.
Diçka të tillë nuk bënë as të martën, kur u shënuan fiks tetë ditë nga diskutimi i fundit Kurti-Abdixhiku, që përfundoi pa rezultat.
“Kryeministri Kurti gjithashtu është duke vazhduar angazhimet e tij dhe unë besoj që në ditët e mbetura, sepse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, të arrihet një pajtueshmëri edhe një mbështetje, gjithashtu propozime konkrete, edhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Por, përkundër që e dinë se afati është drejt skadimit, Vetëvendosje vazhdon të mos i dërgojë ftesë tjetër PDK-së.
“Parlamenti i Republikës së Kosovës i ka 120 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës i ka vetëm 22 deputetë. Shumica parlamentare nëse është e interesuar për të zgjedhur presidentin nuk e ka opsion të vetëm bashkëbisedimin dhe dakordimin me PDK-në, ka edhe opsione të tjera”, ka thënë sekretarja e Përgjithsm e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ndonëse jo për presidentin, përfaqësues të partive, u takuan në Kryesinë e Kuvendit, për caktimin e seancës të së premtes dhe miratimin e rendit të ditës, me disa pika të rëndësishme.
“Projektligji për byronë për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe Vendimi për dërgimin e FSK-së në Gaza”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola.
Por, projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk dihet nëse do ta ketë mbështetjen e opozitës, të cilët nuk e përjashtojnë dërgimin e sërishëm në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi një ekip juristësh, dhe sigurisht që e kemi detyrim që cdo ligj që kalon në Kuvend, të jetë në përputhje me kushtetutën”, ka thënë Çitaku.
Pikërisht të premten deputetët do të votojnë edhe për zgjedhjen e dy gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, nga gjashtë kandidatë sa janë gjithsej.






