Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, së bashku me Altin Krasniqin, djalin e ish-kryetarit të Kuvendit dhe njërit prej ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, kanë qëndruar në sheshin ku po zhvillohet protesta lidhur me kërkesën për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Tahiri, në një deklaratë para gazetarëve, ka kritikuar përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, duke thënë se qytetarët po protestojnë në mënyrë dinjitoze dhe po kërkojnë miratimin e ligjit.
“Është e papranueshme të përdoret gazi lotsjellës dhe të ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët me shumë dinjitet e krenari brohorasin ‘UÇK, UÇK’ dhe kërkojnë që të votohet ligji. Kjo është një kërkesë shumë e arsyeshme, e domosdoshme dhe e nevojshme në këtë kohë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka sqaruar se bashkë me Krasniqin ka qëndruar në shesh, ndërsa deputetët e tjerë të PDK-së ndodhen në Kuvend, në përputhje me, siç tha ai, kërkesën e qytetarëve që deputetët të qëndrojnë në institucion dhe të votojnë ligjin.

“Jam bashkë me Altinin, kolegun tim. Kolegët e tjerë janë në Kuvendin e Kosovës, sepse kërkesa e qytetarëve të Kosovës ka qenë që deputetët të qëndrojnë në Kuvend sot dhe ta miratojnë ligjin në tërësi”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka kujtuar se ligji është miratuar në lexim të parë, ndërsa ka kërkuar që i njëjti të votohet edhe në leximin e dytë.
“Kërkesa jonë ka qenë që të votohet edhe në leximin e dytë. E propozuam mocionin, por nuk gjeti mbështetje. Kanë mbetur vetëm edhe disa orë dhe krejt ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin”, është shprehur Tahiri.
Sipas tij, miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet veçmas nga çështja e zgjedhjes së presidentit.
“Ligji është obligim kombëtar i të gjithë neve, është obligim institucional dhe duhet sa më shpejt të kthehemi në Kuvend, ku do të qëndrojmë, dhe ta votojmë ligjin”, ka thënë ai.
Tahiri ka kundërshtuar mundësinë që çështja e ligjit të lidhet me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme.
“Çështja e presidentit nuk duhet të përdoret për ta krijuar një pazar politik dhe nuk duhet të lidhet me ligjin. Ligji është obligim kombëtar, ndërsa presidenti është përgjegjësi politike”, ka deklaruar Tahiri.
Në fund, ai ka bërë thirrje për konsensus politik për zgjedhjen e presidentit, por ka përsëritur se prioritet, sipas tij, mbetet votimi i ligjit.
“Është shumë e dobishme që në këto rrethana të gjendet konsensusi dhe të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, e rëndësishme është që ligji të votohet”, ka përfunduar Tahiri./Telegrafi.
Your browser does not support the video tag. roar-assets-auto.rbl.ms





