Haxhiu: Emergjenca e QKUK-së u mbush me protestues të lënduar

Nacionale

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Policinë e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të protestës së zhvilluar të hënën në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Haxhiu ka thënë se dhjetëra protestues, përfshirë të rinj dhe veteranë të UÇK-së, janë lënduar gjatë protestës. “Dhjetëra protestues të rinj e veteranë të UÇK-së, që […]

Madhësia e shkronjave

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Policinë e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të protestës së zhvilluar të hënën në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Haxhiu ka thënë se dhjetëra protestues, përfshirë të rinj dhe veteranë të UÇK-së, janë lënduar gjatë protestës.

“Dhjetëra protestues të rinj e veteranë të UÇK-së, që morën plagë në luftën çlirimtare, sot u plagosën përsëri, kësaj here gjatë protestës”, ka shkruar Haxhiu.

Ai ka pretenduar se Emergjenca e QKUK-së është mbushur me dhjetëra protestues të lënduar, ndërsa ka theksuar se, sipas tij, nuk janë parë pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke kërkuar ndihmë mjekësore.

Haxhiu ka kritikuar përdorimin e forcës nga policia, duke e cilësuar atë si joproporcional.

“Përdorimi i forcës në mënyrë joproporcionale është i pajustifikuar dhe i papranueshëm”, ka deklaruar ai.

Ish-deputeti i PDK-së ka thënë se protestuesit që, sipas tij, mbrojnë vlerat e UÇK-së respektojnë uniformën e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Në fund, Haxhiu ka akuzuar drejtuesit politikë për ndikim në veprimet e policisë.

“Policia e Kosovës nuk duhet të veprojë me urdhra politikë të Xhelalit dhe Kurtit”, ka shkruar ai.

Haxhiu ka theksuar se UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe se, sipas tij, sakrifica e saj nuk duhet të përdoret për të justifikuar dhunën ndaj qytetarëve./Telegrafi/