Gjashtë dronë të lëshuar nga forcat e armatosura ruse gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes goditën fshatin Lebyazhe, në distriktin Chuhuiv, në rajonin e Kharkivit, duke shkaktuar dy viktima.
Sipas guvernatorit të Kharkivit, Oleg Synegubov, i cituar nga agjencia ukrainase Unian, nga sulmi humbën jetën një 73-vjeçar dhe një grua 66-vjeçare.
Dy persona të tjerë, një burrë 41-vjeçar dhe një grua 73-vjeçare, mbetën të plagosur dhe morën ndihmën e nevojshme mjekësore, transmeton tch. Sulmi shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale.
“U regjistruan zjarre në pesë banesa private, tre prej të cilave u shkatërruan plotësisht”, deklaroi Synegubov.
Sipas tij, janë dëmtuar gjithashtu 20 banesa private, përfshirë edhe tre ndërtesa ndihmëse.
“Të gjitha shërbimet e emergjencës po punojnë me intensitet të plotë”, shtoi guvernatori i Kharkivit.
Sulmet ruse me dronë ndaj zonave të banuara në Ukrainë vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe dëme të mëdha materiale, ndërsa lufta mes Moskës dhe Kievit vijon.






