Shqetësim për sigurinë, pjesë të F-35 amerikan përfundojnë gabimisht në Hong Kong

Bota

Australia ka konfirmuar se disa pjesë të avionëve luftarakë F-35, të cilat po dërgoheshin në SHBA për riparim, u devijuan gjatë transportit dhe përfunduan në Hong Kong. Rasti po hetohet nga autoritetet amerikane, Australia dhe prodhuesi i avionit, Lockheed Martin. Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, tha se Australia po bashkëpunon me SHBA-në dhe Lockheed […]

Madhësia e shkronjave

Australia ka konfirmuar se disa pjesë të avionëve luftarakë F-35, të cilat po dërgoheshin në SHBA për riparim, u devijuan gjatë transportit dhe përfunduan në Hong Kong.

Rasti po hetohet nga autoritetet amerikane, Australia dhe prodhuesi i avionit, Lockheed Martin.

Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, tha se Australia po bashkëpunon me SHBA-në dhe Lockheed Martin për të kuptuar se si ndodhi incidenti.

Sipas tij, pjesët e humbura nuk ishin të një natyre të ndjeshme.

Megjithatë, incidenti ka shkaktuar shqetësime në SHBA, pasi ekziston frika se Kina mund të përfitojë nga teknologjia e avancuar e F-35.

Ekspertët theksojnë se disa komponentë, veçanërisht ata që lidhen me teknologjinë stealth dhe reduktimin e gjurmës në radar, mund të jenë të rëndësishëm nga pikëpamja ushtarake.

Lockheed Martin deklaroi se komponentët ishin të papërdorshëm dhe me rrezik të ulët për t’u shfrytëzuar, ndërsa Pentagoni tha se po punon për rikthimin e tyre dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Incidenti ka rikthyer gjithashtu vëmendjen te problemet e menaxhimit të pjesëve të F-35.

Një raport i vitit 2023 nga Government Accountability Office kishte konstatuar se programi F-35 nuk kishte të dhëna të plota për humbjen dhe destinacionin e pjesëve rezervë.

Sipas raportit, një kontraktor kishte humbur mbi 1 milion pjesë, me vlerë më shumë se 85 milionë dollarë, gjatë viteve 2019–2023.