Një shpërthim i vullkanit Anak Krakatoa ka detyruar autoritetet indoneziane të pezullojnë përkohësisht fluturimet në aeroportin kryesor të vendit, duke prekur më shumë se 22 mijë pasagjerë.
Vullkani, i vendosur në ngushticën Sunda mes ishujve Java dhe Sumatra, nisi të shpërthente të shtunën, duke prodhuar një fontanë lave, ndërsa banorë në disa zona të vendit raportuan edhe shpërthime të fuqishme, zhurma të forta dhe lëkundje.
Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta u pezulluan rreth orës 01:30 të së dielës, pasi hiri vullkanik u zbulua në hapësirën ajrore pranë aeroportit, transmeton Telegrafi.
Ministria indoneziane e Transportit njoftoi se testet e fundit konfirmuan përhapjen e hirit vullkanik në zonën e aeroportit, duke bërë që pezullimi i fluturimeve të zgjatej deri në orën 09:30 të mëngjesit.
Shpërthimi shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në trafikun ajror. 209 fluturime u prekën, ndërsa destinacionet më të goditura ishin ato drejt dhe nga Singapori.
Probleme u raportuan gjithashtu në linjat ajrore drejt Doha, Sydney dhe Kuala Lumpur, ndërsa të paktën 16 fluturime të brendshme drejt Balit u anuluan.
Autoritetet po monitorojnë nga afër aktivitetin e Anak Krakatoas dhe përhapjen e hirit, pasi grimcat vullkanike paraqesin rrezik serioz për motorët e avionëve dhe sigurinë e fluturimeve.
Anak Krakatoa është një nga vullkanet aktive të Indonezisë dhe ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik e vullkanik. /Telegrafi/






