Arsenali e mbylli afatin kalimtar të verës si kampion Ligës Premier, por pritshmëritë e mëdha të tifozëve nuk u përmbushën plotësisht.
Klubi synonte të shfrytëzonte momentin e artë pas titullit dhe dobësimit të disa rivalëve, duke pasur në listë më shumë se 20 objektiva të mundshëm.
Transferimi më i bujshëm ishte ai i Bruno Guimaraes nga Newcastle United për rreth 75 milionë funte.
Mesfushori brazilian ishte një prej prioriteteve të trajnerit Mikel Arteta, ndërsa drejtori sportiv Andrea Berta arriti të përshpejtonte negociatat pasi alternativat si Sandro Tonali, Alex Scott dhe Amadou Onana rezultuan më të vështira për t’u realizuar.
Në mbrojtje, Arsenali siguroi shërbimet e Ezri Konsa për 51 milionë funte, me 4 milionë të tjera në bonuse. Mbrojtësi i Aston Villas ishte zgjedhja e parë e Artetas për repartin defensiv, kryesisht për shkak të përvojës në Premier League dhe aftësisë për të luajtur edhe si mbrojtës i djathtë.
Në sulm, megjithatë, klubi nuk arriti të realizojë objektivin kryesor. Arsenali kishte synuar Morgan Rogers, por Aston Villa rriti kërkesat në 120 milionë funte pas shitjes së Elliot Anderson te Manchester City.
Chelsea më pas e transferoi Rogers për 117 milionë funte, ndërsa Arsenali nuk pranoi të përputhej me këtë ofertë, duke e vlerësuar lojtarin rreth 80 milionë funte.
Përpjekjet për Vinicius Junior dhe Julian Alvarez gjithashtu përfunduan pa sukses. Vinicius vendosi të rinovojë kontratën me Real Madridin, ndërsa Alvarez preferoi të qëndrojë te Atletico Madrid.
Arsenali kishte eksploruar edhe alternativa si Bradley Barcola, Kenan Yildiz dhe Nico Paz, por asnjë prej tyre nuk u konkretizua.
Në aspektin financiar, Arsenali bëri progres të rëndësishëm në shitjen e lojtarëve. Gabriel Martinelli u transferua te Al-Hilal për 60 milionë funte, në atë që u bë shitja më e shtrenjtë në historinë e klubit.
Në total, largimet e Martinellit, Leandro Trossard, Gabriel Jesus, Christian Norgaard, Jakub Kiwior, Fabio Vieira dhe Karl Hein i sollën klubit rreth 114 milionë funte.
Megjithatë, pavarësisht investimit prej afro 450 milionë funtesh gjatë 12 muajve të fundit, Arsenali ende ka pikëpyetje të mëdha në repartin ofensiv.
Guimaraes dhe Konsa sjellin cilësi dhe përvojë, por mosha e tyre ka ngritur diskutime mbi mënyrën se si klubi do ta rinovojë skuadrën në vitet e ardhshme.
Tani mbetet për t’u parë nëse Arsenali ka ndërtuar një skuadër të aftë për të dominuar Ligën Premier për një periudhë të gjatë, apo nëse mungesa e një sulmuesi elitar do t’i kushtojë shtrenjtë në garën për trofe. /Telegrafi/






