63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma, pas një defekti në furnizimin me energji elektrike.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për punëtorët e ndërrimit të dytë.

Sipas tij, minatorët kanë mbetur të ngujuar në tunelin e parë të minierës, ndërsa ekipet përkatëse janë duke punuar për nxjerrjen e tyre.
“Për shkak të një defekti me energjinë elektrike, rreth 60-63 minatorë të ndërrimit të dytë kanë mbetur të ngujuar”, ka thënë Januzi.
Ai ka shtuar se aktualisht po punohet për nxjerrjen e minatorëve nga tuneli.
Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk janë dhënë detaje të tjera për gjendjen e minatorëve apo kohën e nevojshme për nxjerrjen e tyre.





