SHBA ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales të Kupës së Botës pasi mposhti Bosnja dhe Hercegovinen me rezultat 2:0 në raundin e 16-të, në ndeshjen e zhvilluar në Santa Clara.
Golat për SHBA-në u shënuan nga Folarin Balogun në minutën e 45-të dhe Malik Tillman në minutën e 82-të, duke i dhënë amerikanëve një fitore të sigurt për kalim në fazën tjetër, ku do të përballen me Belgjikën më 7 korrik në orën 14:00.
Bosnja dhe Hercegovina e nisi ndeshjen më mirë, duke fituar një goditje nga këndi që në minutën e parë, ndërsa rastin më të mirë të pjesës së parë e pati Kerim Alajbegović në minutën e 11-të, por portieri Matt Freese reagoi në mënyrë vendimtare.
SHBA rrezikoi fillimisht me Christian Pulisic, ndërsa një gol i Balogun në minutën e 31-të u anulua për pozicion jashtë loje. Megjithatë, sulmuesi amerikan gjeti rrugën e rrjetës në fund të pjesës së parë, pas një devijimi të pafat në mbrojtjen e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në pjesën e dytë, Bosnja dhe Hercegovina mori një goditje të rëndë me largimin e kapitenit Edin Dzeko për shkak të dëmtimit në minutën e 51-të, ndërsa më pas ndeshja u komplikua edhe më shumë pas kartonit të kuq të Balogun në minutën e 63-të, pas një ndërhyrjeje të verifikuar nga VAR-i.
Pavarësisht epërsisë numerike, Bosnja dhe Hercegovina nuk arriti të krijojë raste të pastra për gol, ndërsa SHBA mbrojti me disiplinë dhe goditi sërish në minutën e 82-të me golin e Tillman nga gjuajtja e lirë për 2-0.
Në fund, përpjekjet e Bosnjës dhe Hercegovinës për të rikthyer ndeshjen nuk sollën ndryshim në rezultat, dhe SHBA siguroi një kualifikim të merituar në fazën tjetër të turneut. /Telegrafi/






