SHBA dyshon për operacion spiunazhi kinez ndaj kreut të Nvidias

Bota

Shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se një biznesmene, e cila kishte krijuar marrëdhënie të afërta me drejtorin ekzekutiv të Nvidias, Jensen Huang, ishte rekrutuar nga Kina për të mbledhur informacione rreth industrisë amerikane të çipave. Rasti ka ngritur shqetësime në Uashington për një operacion të mundshëm spiunazhi që synonte një nga drejtuesit më të rëndësishëm […]

Madhësia e shkronjave

Shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se një biznesmene, e cila kishte krijuar marrëdhënie të afërta me drejtorin ekzekutiv të Nvidias, Jensen Huang, ishte rekrutuar nga Kina për të mbledhur informacione rreth industrisë amerikane të çipave. Rasti ka ngritur shqetësime në Uashington për një operacion të mundshëm spiunazhi që synonte një nga drejtuesit më të rëndësishëm të industrisë globale të teknologjisë.

Një memorandum konfidencial i shërbimeve amerikane të inteligjencës, i shpërndarë në mesin e zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, pretendon se një biznesmene kineze, e identifikuar si Alice Huang, ishte rekrutuar nga Ministria kineze e Sigurisë Shtetërore për të mbledhur informacione rreth drejtuesit të Nvidias.

Sipas raportimeve, Alice Huang, e cila ka punuar për kompaninë singaporiane Megaspeed, kishte krijuar një marrëdhënie intime me Jensen Huangun. Shërbimet amerikane dyshojnë se përmes kësaj marrëdhënieje ajo synonte të siguronte informacione rreth planeve të kompanisë dhe të ndikonte në vendimet e saj për eksportin e procesorëve të avancuar të inteligjencës artificiale në Kinë.

Dokumenti, i bazuar në informacione të inteligjencës amerikane, u është shpërndarë një grupi të kufizuar zyrtarësh të lartë përpara vizitës së Trumpit në Kinë, në maj të këtij viti.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse Jensen Huang ishte në dijeni të dyshimeve për lidhjet e Alice Huang me shërbimet kineze apo nëse gjatë marrëdhënies së tyre janë shkëmbyer informacione konfidenciale. Drejtori i Nvidias nuk është akuzuar për bashkëpunim me inteligjencën kineze dhe pretendimet për marrëdhënien intime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, shkruan nytimes.

Çështja ka tërhequr vëmendjen e ligjvënësve amerikanë. Tre kryetarë republikanë të komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast, John Moolenaar dhe Rick Crawford, i kanë kërkuar Jensen Huangut të paraqitet në një takim me dyer të mbyllura më 18 nëntor.

Ata kërkojnë shpjegime për kontaktet e tij me Alice Huang, si dhe për masat që Nvidia zbaton për t’u mbrojtur nga spiunazhi i huaj dhe rrjedhja e informacioneve të ndjeshme.

Shqetësimet lidhen veçanërisht me rëndësinë strategjike të Nvidias, e cila prodhon procesorë të avancuar që përdoren në zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. Teknologjia e kompanisë është në qendër të rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e cila synon të sigurojë qasje në çipat më të fuqishëm.

Alice Huang ka qenë drejtuese në kompaninë Megaspeed, një klient i rëndësishëm i Nvidias, e cila operon në sektorin e qendrave të të dhënave dhe u ofron kapacitete kompjuterike kompanive që zhvillojnë inteligjencë artificiale.

Megaspeed është vënë më herët nën hetim nga autoritetet amerikane për dyshimet se mund të ketë ndihmuar në dërgimin e procesorëve të avancuar të Nvidias në Kinë, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit. Nvidia ka deklaruar se hetimi i saj i brendshëm nuk ka gjetur prova për shkelje.

Kompania ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se kontaktet e Jensen Huangut me biznesmenen ishin të pazakonta. Sipas saj, drejtori ekzekutiv takohet çdo vit me mijëra drejtues të kompanive kliente dhe këto takime janë pjesë normale e punës së tij.

Nvidia ka theksuar se klientët e saj në Azi marrin vetëm informacione të zakonshme biznesi dhe jo sekrete tregtare apo të dhëna që lidhen me sigurinë kombëtare amerikane.

Rasti vjen në një periudhë kur Uashingtoni po përpiqet të kufizojë qasjen e Kinës në teknologjinë më të avancuar amerikane, veçanërisht në procesorët që mund të përshpejtojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe kapaciteteve ushtarake të Pekinit. /Telegrafi/

Komentet