Një pilot amerikan është vrarë nga një grup separatist në provincën Papua të Indonezisë, në një incident që ka përshkallëzuar më tej konfliktin e gjatë në rajon.
Sipas Ushtrisë Çlirimtare të Papua Perëndimore (TPNPB), luftëtarët e saj qëlluan për vdekje pilotin dhe i vunë zjarrin avionit në fshatin Balinggama, duke pretenduar se ai po transportonte trupa indoneziane në zonën e trazuar, raporton fox.
Autoritetet indoneziane, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil, deklaruan se në bord ndodheshin një pilot dhe shtatë pasagjerë civilë indigjenë papuas, përfshirë tre gra, të cilët nuk janë lënduar. Ushtria indoneziane ka mohuar kategorikisht se aeroplani po përdorej për transport ushtarak.
Sipas autoriteteve, komunikimi me aeroplanin u ndërpre menjëherë pas raportimit të uljes në një pistë në zonë të izoluar. Një ekip evakuimi u përpoq të arrinte vendin e ngjarjes, por u detyrua të kthehej për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i rebelëve Sebby Sambom tha se aeroplani kishte shkelur ndalimin e fluturimeve civile në zonat që grupi i konsideron si territor operativ, duke pretenduar se avionë të tillë përdoren për transport të forcave dhe furnizimeve ushtarake indoneziane.
Rebelët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të godasin aeroplanë civilë që, sipas tyre, mbështesin operacionet ushtarake në Papua.
Ambasada amerikane nuk ka reaguar ende lidhur me incidentin.
Konflikti në Papua, i cili daton prej dekadash, ka shkaktuar dhjetëra viktima në vitin e fundit, përfshirë rebelë, forca sigurie dhe civilë. Rajoni, ish-koloni holandeze, u përfshi në Indonezi në vitin 1969 përmes një votimi të sponsorizuar nga OKB-ja, i cili është kritikuar gjerësisht si i manipuluar. /Telegrafi/






