Roma mund të përballet me largimin e një prej lojtarëve më të talentuar të skuadrës gjatë afatit kalimtar të verës. Bëhet fjalë për Matias Soule, i cili po kërkohet nga disa klube angleze.
Sipas raportimeve të “Sports Boom”, Aston Villa është aktualisht favorite për të siguruar transferimin e sulmuesit argjentinas, i cili ka kontratë me Romën deri në verën e vitit 2029.
Trajneri i ri i Romës, Gian Piero Gasperini, dëshiron ta mbajë Soulen si pjesë të rëndësishme të projektit për sezonin e ardhshëm, por interesimi nga Anglia po rritet çdo ditë.
Përveç Aston Villas, në garë për 23-vjeçarin janë futur edhe Brighton dhe Bournemouth, të cilat po monitorojnë situatën e lojtarit.
Roma synon të rezistojë ndaj ofertave të mundshme, por merkatoja e verës pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Soules.
Në rast të largimit të argjentinasit, atëherë Roma synon që të fitojë 60 milionë euro. /Telegrafi/






