Savio Moreira de Oliveira, i njohur për tifozët si Savinho, ka vendosur të mos përdorë më nofkën e tij pas transferimit nga Manchester City te Tottenham.
Braziliani, i cili kaloi dy sezonet e fundit te Manchester City, do të prezantohet te skuadra londineze me emrin Savio. 22-vjeçari do të mbajë fanellën me numrin 17.
Savinho ishte emri me të cilin anësori u bë i njohur në futbollin evropian. Gjatë periudhës te Manchester City, ai zhvilloi 84 paraqitje, ndërsa “Savinho” ishte i shkruar edhe në fanellën e tij me numrin 26.

Prapashtesa “inho” në portugalisht përdoret si zvogëluese, por mund të shprehë edhe përzemërsi apo afërsi.
Vetë lojtari kishte treguar më herët se si lindi kjo nofkë. Në një intervistë për Manchester Cityn në vitin 2024, ai shpjegoi se emri “Savinho” u shfaq për herë të parë në fanellën e tij gjatë grumbullimit me kombëtaren e Brazilit.
“Më parë, në Girona, më quanin kryesisht Savinho, ndërsa në fanellën e klubit shkruhej Savio. Kjo është arsyeja pse i thashë Manchester Cityt ta vendoste Savinhon në fanellë. Shpresoja se do të më sillte fat”, kishte deklaruar ai.
Megjithatë, pas transferimit te Tottenham, braziliani ka zgjedhur t’i rikthehet emrit Savio. Arsyeja e këtij ndryshimi nuk është bërë e ditur, pasi as futbollisti dhe as klubi londinez nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar.
Transferimi i tij nga Manchester City te Tottenham raportohet se ka vlerën e 85 milionë funteve, dikur rreth 99 milionë euro.
Savio ka shprehur kënaqësinë për aventurën e re dhe ka zbuluar se një bisedë me trajnerin Roberto De Zerbi ndikoi në vendimin e tij për t’iu bashkuar Tottenhamit.
“Kur fola me trajnerin, e kuptova se duhej të vija. Ai më tha se dëshironte të më ndihmonte të arrija nivelin më të lartë dhe besonte se mund ta bënim këtë së bashku”, tha braziliani. /Telegrafi/




