Roma e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Serie A, duke regjistruar një fitore bindëse 4-0 ndaj Fiorentinës.
Skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini dominoi takimin dhe që në pjesën e parë krijoi disa raste të mira, ndërsa epërsinë e gjeti në minutën e 27-të.
Ishte Donyell Malen ai që zhbllokoi rezultatin, duke përfituar nga një pasim brenda zonës dhe duke goditur saktë në këndin e poshtëm të portës së mbrojtur nga David de Gea.
Roma vazhdoi me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë dhe vetëm shtatë minuta pas rifillimit gjeti golin e dytë. Sërish protagonist ishte Malen, i cili mori një pasim të shkurtër nga Paulo Dybala, u lirua bukur nga mbrojtësi dhe realizoi për 2-0.
Në minutën e 60-të, dyshja Dybala-Malen funksionoi përsëri. Argjentinasi tregoi vizion të shkëlqyer dhe asistoi për holandezin, i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 3-0, duke e kompletuar het-trikun.
Fiorentina nuk arriti të reagonte, ndërsa Roma vazhdoi të kontrollonte plotësisht takimin.
Golin e katërt e shënoi Niccolò Pisilli në minutën e 86-të. Mesfushori ishte në vendin e duhur për të përfituar nga një top i kthyer brenda zonës dhe me qetësi e dërgoi topin në cepin e majtë të portës.
Në fund, Roma festoi një fitore të madhe 4-0, duke dhënë një sinjal të fortë që në javën e parë të kampionatit. /Telegrafi/






