Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së në Samitin pranë Liqenit të Luzernit, takimi i parë i Komitetit të Nivelit të Lartë, në Burgenstock të Zvicrës, përfunduan sot herët, me marrëveshjet mbi disa mekanizma që synojnë avancimin e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit.
Takimi u mbajt nën ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit, të cilët thanë se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë pozitive dhe konstruktive” dhe prodhuan “progres inkurajues”.
Ja çfarë duhet të dini për rezultatet kryesore të bisedimeve, sipas deklaratës së përbashkët të ndërmjetësuesve:
Një “Komision i Nivelit të Lartë” u krijua për të ofruar mbikëqyrje politike të procesit të ndërmjetësimit.
Kryenegociatorët amerikanë dhe iranianë do të udhëheqin grupet e punës të fokusuara në: çështjet bërthamore, sanksionet, monitorimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, çështjet tjera të lidhura me zbatimin.
Duke u bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit, palët ranë dakord për një udhërrëfyes drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve, duke hedhur themelet për negociatat e menjëhershme teknike.
Bisedimet teknike do të vazhdojnë për pjesën e mbetur të javës në Burgenstock për të gjitha çështjet e pazgjidhura.
U krijua një kanal komunikimi për të parandaluar “incidentet dhe keqkomunikimin” dhe për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
Palët ranë dakord të krijonin një “celulë de-konflikti”, që përfshin Libanin dhe të lehtësuar nga ndërmjetësit, për të monitoruar respektimin e ndërprerjes së operacioneve ushtarake në Liban sipas memorandumit.
Katari dhe Pakistani thanë se do të vazhdojnë përpjekjet për të ruajtur një “atmosferë konstruktive” dhe për të mbështetur përparimin drejt një marrëveshjeje përfundimtare. /AA/






