Retorika propaganduese e Petkoviqit: Kontrollin e Policisë në Prizren e cilëson “represion”

Nacionale

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar me retorikën e tij propaganduese ndaj institucioneve të Kosovës, duke akuzuar Policinë e Kosovës për kinse “represion” ndaj besimtarëve serbë gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren. Përmes një postimi në rrjetin social X, Petkoviq […]

Madhësia e shkronjave

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar me retorikën e tij propaganduese ndaj institucioneve të Kosovës, duke akuzuar Policinë e Kosovës për kinse “represion” ndaj besimtarëve serbë gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Petkoviq pretendoi se Policia e Kosovës kishte kryer kontrolle ndaj pjesëmarrësve në ceremoni, duke përfshirë, sipas tij, gra, të rinj dhe nëna me foshnje në karroca.

Ai shkroi se autoritetet e Kosovës “donin të provokonin një Gazimestan të ri”, duke e cilësuar kontrollin policor si një akt represioni dhe duke pretenduar se është penguar edhe puna e mediave në gjuhën serbe.

“Ata kontrolluan madje edhe nënat me foshnje në karroca, gratë, të rinjtë dhe penguan raportimin e mediave në gjuhën serbe të bënin punën e tyre. Represioni i ri i Kurtit në veprim”, shkroi Petkoviq.

…Ai tha gjithashtu se do t’i informojë përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e serbëve në Kosovë.

Megjithatë, kontrollet e Policisë së Kosovës në ngjarje të tilla zhvillohen në kuadër të detyrave të saj ligjore për ruajtjen e sigurisë publike, mbrojtjen e pjesëmarrësve dhe parandalimin e incidenteve, pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare.

Petkoviq është i njohur për deklaratat e tij të shpeshta kundër institucioneve të Kosovës, të cilat autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar vazhdimisht si pjesë e fushatës së propagandës dhe dezinformimit të Beogradit ndaj Kosovës./Telegrafi.