Reperi amerikan Mystikal, i cili në fillim të viteve 2000 ishte nominuar disa herë për çmimet Grammy, është dënuar me 20 vjet burgim pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje në shtëpinë e tij në Luiziana në vitin 2022, raportojnë mediat amerikane.
Mystikal, emri i vërtetë i të cilit është Michael Lawrence Tyler, në muajin mars arriti një marrëveshje me prokurorinë dhe pranoi fajësinë për akuzën e përdhunimit të shkallës së tretë.
Falë kësaj marrëveshjeje, dënimi i tij u kufizua në 20 vjet burg, pesë vjet më pak se maksimumi i parashikuar për këtë vepër penale. Në këtë mënyrë ai shmangu akuzën për përdhunim të shkallës së parë, e cila do t’i sillte automatikisht burgim të përjetshëm.

Megjithatë, vetëm pak ditë para shpalljes së dënimit, reperi kërkoi nga gjykata të tërhiqte pranimin e fajësisë, duke pretenduar se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar plotësisht pasojat e vendimit të tij.
Para se të jepej vendimi, viktima dëshmoi në gjykatë dhe kërkoi që Mystikal të dënohej me masën maksimale.
Ajo deklaroi se reperi e kishte sulmuar në shtëpinë e tij në Prairieville, një zonë rreth 30 kilometra larg Baton Rouge, duke e rrahur, mbytur, tërhequr për flokësh dhe më pas përdhunuar.
Në përgjigje të dëshmisë së saj, Mystikal u shpreh: “Nëse të kam bërë këtë, atëherë e meritoj dënimin maksimal”, sipas raportimeve të mediave lokale.
Që nga arrestimi i tij në vitin 2022, Mystikal mbahej në paraburgim në qarkun Ascension pa mundësi lirimi me kusht.
Artisti nga Luiziana u bë i famshëm gjatë viteve ’90, ndërsa njihet më së shumti për hitin e vitit 2000 “Shake Ya A**”, i cili i solli një nominim për Grammy në kategorinë e performancës më të mirë solo rap.
Kjo nuk është hera e parë që reperi përballet me probleme ligjore. Në vitin 2003 ai pranoi fajësinë për një sulm seksual dhe u dënua me gjashtë vjet burg.
Po atë vit, Mystikal mori edhe dy nominime të tjera për Grammy, për albumin më të mirë rap “Tarantula” dhe për performancën më të mirë solo rap me këngën “Bouncin’ Back (Bumpin’ Me Against The Wall)”. /Telegrafi/





