Rikthimi i Jose Mourinhos te Real Madridi konsiderohet pothuajse i sigurt, me klubin që tashmë ka arritur marrëveshje me trajnerin portugez për ta zëvendësuar Alvaro Arbeloan.
Megjithatë, planet për zyrtarizimin e tij në “Santiago Bernabeu”, 13 vite pas aventurës së parë, janë shtyrë përkohësisht.
Brenda klubit madrilen ekziston bindja se Mourinho është njeriu ideal për ta rikthyer ekipin në majat e futbollit evropian pas dy sezonesh të vështira.
Presidenti Florentino Perez kishte lëvizur shpejt për të siguruar firmën e tij sapo u bë e qartë se Arbeloa nuk do të vazhdonte në stol.
Sipas mediumit portugez Record, të cituar nga Sport, plani ishte që Mourinho të prezantohej zyrtarisht të hënën. Por kjo tashmë është vënë në pikëpyetje pas konfirmimit të zgjedhjeve presidenciale te Real Madridi.
Perez do të ketë përballë Enrique Riquelmen në garën për presidencën, gjë që ka bërë që marrëveshja me Mourinhon të pezullohet për momentin.
Arsyeja kryesore lidhet me klauzolën e lirimit në kontratën e Mourinhos me Benficën, e cila skadon të hënën dhe kap vlerën e 6 milionë eurove.
Nëse ajo nuk aktivizohet para ditës së martë, klubi portugez do të ketë të drejtë të kërkojë një shumë më të lartë, duke e komplikuar ndjeshëm operacionin për “Los Blancos”.
Raporti gjithashtu thekson se rikthimi i Mourinhos varet shumë nga fitorja e Perezit në zgjedhje. Presidenti aktual ka qenë promotori kryesor i këtij operacioni, ndërsa një fitore e mundshme e Riquelmes mund ta ndryshojë plotësisht situatën.
Në rast se Riquelme merr drejtimin e klubit, ai pritet të ketë ide të tjera për postin e trajnerit dhe nuk është e qartë nëse do ta mbështeste rikthimin e “The Special One” në Madrid.
Për momentin, Real Madridi është i detyruar të presë para se të finalizojë marrëveshjen me Mourinhon, ndërsa të gjitha palët shpresojnë që situata të marrë zgjidhje sa më shpejt. /Telegrafi/






