Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar tri vendime që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë të pijshëm në Leposaviq, mbështetjen e arsimit në Luginën e Preshevës dhe financimin e aktiviteteve në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Në kuadër të mbledhjes, është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A. Vendimi synon realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjatë vitit shkollor 2025/2026.
Në mbështetje të sektorit të inovacionit dhe teknologjisë, ekzekutivi në detyrë ka miratuar edhe ndarjen e 40,000 eurove për organizimin e ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.
Nga kjo shumë, 20,000 euro do t’i ndahen organizatës FLOSSK (Free Libre Open Source Software Kosova), ndërsa 20,000 euro organizatës ICK (Innovation Center Kosovo), me synimin për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e ekosistemit vendor të inovacionit.






