Vera është periudha e pushimeve për miliona evropianë, por për një pjesë të konsiderueshme të tyre, një javë larg shtëpisë mbetet e papërballueshme.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, në vitin 2025 pothuajse 3 në 10 qytetarë të Bashkimit Evropian mbi moshën 16 vjeç nuk kishin mundësi financiare të përballonin një javë pushime larg shtëpisë.
Krahasuar me vitin 2024, kjo përqindje u rrit me 0.5 pikë përqindjeje, ndërsa në raport me një dekadë më parë ka rënë me 7.7 pikë përqindjeje.
Situata është më e vështirë në Rumani, Greqi, Bullgari dhe Hungari, ku u regjistruan përqindjet më të larta të qytetarëve që nuk mund të përballonin një javë pushime.
Në anën tjetër, nivelet më të ulëta u shënuan në Luksemburg, Suedi dhe Holandë.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me rritjen e çmimeve të akomodimit, transportit dhe ushqimit, si dhe me rënien e fuqisë blerëse.
Sipas tyre, pushimet po kthehen gradualisht në një luks që nuk mund ta përballojnë të gjithë.
Esther Lynch, sekretare e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, theksoi se pushimet me familjen apo miqtë janë të rëndësishme për mirëqenien fizike dhe mendore, por për shumë punëtorë ato po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar.
Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu se shumica e evropianëve që udhëtojnë preferojnë të pushojnë në vendin e tyre.
Në vitin 2024, 7 në 10 udhëtime turistike të kryera nga banorët e BE-së u zhvilluan brenda vendit.
Rumania kryesoi me 90% të udhëtimeve vendase, e ndjekur nga Spanja me 88%, ndërsa Franca, Portugalia dhe Greqia regjistruan nga 85%.
Në të kundërt, Luksemburgu, Belgjika dhe Malta kishin përqindjet më të larta të udhëtimeve jashtë vendit.
Mesatarisht, një udhëtim brenda BE-së zgjati katër net, ndërsa udhëtimet jashtë Bashkimit Evropian zgjatën rreth tetë net.






