Kryeqyteti rus, Moska u zgjua mëngjesin e sotëm nën një sulm masiv me dronë ukrainas, ndërsa në rrjetet sociale u publikuan disa nga pamjet më dramatike të goditjeve. Videot tregojnë momente kur dronët godasin objekte civile dhe industriale në qytet.
Një nga pamjet më të shpërndara tregon momentin kur një dron godet drejtpërdrejt një ndërtesë të lartë banimi në Moskë. Në video dëgjohet zhurma e motorit të dronit, i cili fluturon ulët mbi zonën e banuar, përpara se të përplaset në katet e sipërme të ndërtesës, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr.
Një tjetër video tregon një goditje ndaj rafinerisë së naftës në zonën Kapotnja të Moskës.
Pas goditjes së një rezervuari të madh karburanti, ndodhi një shpërthim i fuqishëm dhe kapaku metalik i rezervuarit u hodh disa dhjetëra metra në ajër nga presioni. Pas shpërthimit u krijua një re e madhe tymi të zi mbi zonën industriale.
Sulmet shkaktuan edhe ndërprerje të përkohshme të fluturimeve në aeroportet kryesore të Moskës, përfshirë Vnukovo, Sheremetjevo dhe Zhukovski, ndërsa dhjetëra aeroplanë u ridrejtuan në aeroporte të tjera.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar një numër të madh dronësh që po i afroheshin kryeqytetit dhe pretendoi se dëmet ishin të kufizuara. Megjithatë, pamjet e publikuara nga banorët tregojnë goditje direkte ndaj objekteve në qytet.
Sipas raportimeve, një nga objektivat kryesore të sulmit ishte rafineria e naftës në Kapotnja, e cila është goditur edhe më herët. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë pjesë e strategjisë së Ukrainës për të goditur kapacitetet logjistike dhe furnizimin me karburant të Rusisë.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha deklaroi se Rusia mund t’i ndalojë sulmet ndaj qyteteve të saj duke i dhënë fund luftës kundër Ukrainës.
Sulmi i fundit vjen në një kohë kur lufta ajrore mes Moskës dhe Kievit është përshkallëzuar, me të dyja palët që përdorin gjithnjë e më shumë dronë me rreze të gjatë për të goditur objektiva strategjikë. /Telegrafi/






