Publikohen detajet e “Marrëveshjes së Mekës” – Turqia, Arabia dhe Pakistani

Bota

Qeveria turke ia ka dorëzuar të martën parlamentit të vendit tekstin e Paktit të Mbrojtjes së Mekës, marrëveshje që Turqia e nënshkroi në gusht me Arabinë Saudite dhe Pakistanin. Të tria vendet nënshkruan më 7 gusht në Mekë një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, përmes së cilës zotohen ta mbrojnë njëra-tjetrën, në mënyrë të ngjashme me […]

Madhësia e shkronjave

Qeveria turke ia ka dorëzuar të martën parlamentit të vendit tekstin e Paktit të Mbrojtjes së Mekës, marrëveshje që Turqia e nënshkroi në gusht me Arabinë Saudite dhe Pakistanin.

Të tria vendet nënshkruan më 7 gusht në Mekë një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, përmes së cilës zotohen ta mbrojnë njëra-tjetrën, në mënyrë të ngjashme me nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që rregullon mbrojtjen kolektive të anëtarëve të NATO-s.

Teksti i marrëveshjes, të cilin e ka siguruar portali Middle East Eye, zbulon hollësitë e këtij zotimi.

Marrëveshja nuk e përcakton asnjë shtet apo rajon si kërcënim të drejtpërdrejtë. Në nenin e parë thuhet se, nëse kërcënohet integriteti territorial, sovraniteti apo kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të cilitdo prej vendeve nënshkruese, palët do të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për ta eliminuar kërcënimin.

Sipas nenit të dytë, një sulm i armatosur nga jashtë ndaj cilitdo prej vendeve nënshkruese do të konsiderohet sulm ndaj të gjitha palëve.

Nëse njëri prej shteteve përballet me sulm të armatosur ose agresion ushtarak nga një shtet tjetër apo nga një grup shtetesh, dy të tjerat obligohen t’i ofrojnë menjëherë ndihmë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e mbështetjes së ndërsjellë që kanë në dispozicion.

Shtrirja dhe lloji i ndihmës do të përcaktohen pas një vlerësimi objektiv të nevojave të vendit të sulmuar dhe në përputhje me burimet e disponueshme, përfshirë mjetet dhe kapacitetet ushtarake. Kjo bëhet me qëllim të garantimit të së drejtës për vetëmbrojtje, të parashikuar në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Shkëmbimi i inteligjencës, armëve dhe karburantit

Marrëveshja parasheh bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, prodhim të përbashkët, kërkime shkencore, shkëmbim të personelit, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

Vendet do të shkëmbejnë informacione të inteligjencës përmes kanaleve të sigurta, të dakorduara paraprakisht.

Në kohë paqeje, lufte dhe situatash të tjera të jashtëzakonshme, ato do t’i ofrojnë njëra-tjetrës mbështetje logjistike, përfshirë armë, municion, karburant dhe pjesë rezervë.

Informacionet konfidenciale të siguruara në kuadër të marrëveshjes nuk do të mund të ndahen me shtete, kompani apo persona jashtë këtij bashkimi.

Palët janë zotuar gjithashtu të luftojnë së bashku terrorizmin, përfshirë bashkëpunimin në nivel operacional, si dhe të zhvillojnë konsultime të rregullta për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

Sekretariati do të vendoset në Arabinë Saudite

Marrëveshja parasheh krijimin e një Komiteti Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes, në përbërje të të cilit do të jenë ministrat e jashtëm, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabeve të përgjithshme të tri vendeve.

Komiteti do të mblidhet dy herë në vit, me takime që do të organizohen me rotacion në secilin prej vendeve anëtare.

Udhëheqësit e shteteve mund të takohen një herë në vit, nëse e vlerësojnë të nevojshme.

Komiteti do të përcaktojë, me konsensusin e tri vendeve themeluese, edhe rregullat për anëtarësimin e shteteve të tjera në marrëveshje.

Sekretariati i komitetit do të vendoset në Arabinë Saudite dhe do të udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm, me mandat trevjeçar. Emërimi do të bëhet me rotacion ndërmjet vendeve themeluese.

Sekretari i parë i përgjithshëm do të jetë shtetas i Pakistanit.

Marrëveshja përbëhet nga 16 nene dhe nuk ka afat të përcaktuar për përfundimin e saj. Ajo do të hyjë në fuqi pasi vendi i fundit nënshkrues të depozitojë dokumentin e ratifikimit.

Megjithatë, një shtet mund të tërhiqet nga marrëveshja vetëm pasi të kenë kaluar dhjetë vjet nga hyrja e saj në fuqi. Për këtë duhet t’i njoftojë me shkrim vendet e tjera, të paktën tre muaj përpara.

Dokumenti është nënshkruar në gjuhën turke, arabe dhe angleze. Në rast të dallimeve në interpretim ndërmjet versioneve, përparësi do të ketë teksti në gjuhën angleze. /Telegrafi/

Komentet