Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, pranoi të martën se një sasi raketash përgjuese, të blera për Ukrainën në kuadër të programit “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën” (PURL), mund të mos jenë dorëzuar, por theksoi se kjo nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë qëllimi politik.
“Mendoj se thelbi është se nuk ka pasur ndonjë direktivë të qëllimshme politike për të dëmtuar Ukrainën”, u tha ai gazetarëve ndërsa niste vizitën e tij në Indi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Nuk ka asgjë që po i mohohet qëllimisht Ukrainës”, citohet të ketë thënë Rubio.
Rubio shtoi se të martën kishte zhvilluar një bisedë 45-minutëshe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky bëri të ditur se në bisedë u diskutuan çështje si raketat përgjuese për raketat balistike, sistemet e paralajmërimit të hershëm për sulmet ruse, si dhe situata me shërbimet satelitore Starlink dhe Starshield, për të cilat presidenti ukrainas theksoi se duhet të rikthehen në funksion.
Këto komente vijnë pasi agjencia Reuters raportoi më herët se Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ende nuk e ka autorizuar dërgimin e paketës së fundit të armatimeve amerikane, të blera nga aleatët e NATO-s në kuadër të programit PURL.
Zelensky kishte deklaruar gjithashtu se Pentagoni e ka vonuar dërgimin e raketave sipas këtij programi, në një kohë kur marrëdhëniet midis Kievit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar gjatë këtij muaji, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar afrim me Moskën.
Reuters raportoi se SHBA-ja kishte kërcënuar me ndërprerjen e mekanizmit PURL për t’i bërë presion Kievit që të ndalojë sulmet e thella ndaj infrastrukturës energjetike ruse, pikërisht në kohën kur Trump njoftoi një marrëveshje për “armëpushim energjetik” midis Ukrainës dhe Rusisë. /Telegrafi/






