Sean Diddy Combs raportohet se është ndëshkuar disa herë në burg për përleshje dhe përdorim të paautorizuar të telefonit, duke humbur disa nga privilegjet e tij, raportoi TMZ.
Jose Rojas, sekretar i sindikatës që përfaqëson punonjësit e Byrosë Federale të Burgjeve në ShBA, ka deklaruar se ka siguruar dosjen e plotë disiplinore të reperit.
Sipas dosjes, Diddy është raportuar për përleshje më 31 korrik dhe 30 shtator, ndërsa një shkelje tjetër më e rëndë është regjistruar më 1 tetor.
Ai është ndëshkuar gjithashtu për dy shkelje më të lehta që lidhen me përdorimin e telefonit, më 7 korrik dhe 19 shtator 2025.

Si pasojë, reperi ka humbur 41 ditë nga ulja e mundshme e dënimit për sjellje të mirë, një përfitim që mundëson lirimin më të hershëm të të burgosurve.
Gjithashtu, atij i është ndaluar për 400 ditë hyrja në dyqanin e burgut, ku të burgosurit mund të blejnë ushqime dhe produkte të tjera.
Problemet disiplinore mund të çojnë edhe në klasifikimin e tij si i burgosur që prish rendin, gjë që do të mundësonte transferimin në një institucion tjetër.
Megjithatë, sipas Rojas, një vendim i tillë nuk është marrë ende.
Më herët, TMZ raportoi se data e lirimit të Diddyt është shtyrë nga 21 janari në 2 mars 2028.
Ndërkohë, në fund të shtatorit, NBC News raportoi se reperi dyshohej se kishte gëzuar trajtim të privilegjuar në burg, përfshirë përdorimin e një telefoni celular të paautorizuar, alkool, masazhe dhe ushqim më të mirë.
Pas këtyre raportimeve, ai u kthye në izolim, hetimet vazhdojnë.
Diddy po vuan një dënim prej 50 muajsh në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey.
Në vitin 2025, u dënua për dy akuza që lidhen me prostitucionin, u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafikim njerëzor dhe krim të organizuar. /Telegrafi/





