Presidenti i FIFA-s, Infantino: Irani do të luajë patjetër në Kupën e Botës pavarësisht luftës

Sport

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha të mërkurën mbrëma se Irani “me siguri” do të marrë pjesë në Kupën e Botës, pavarësisht luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke folur në forumin “Invest in America” të CNBC-së, Infantino theksoi se është e rëndësishme që Irani të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026, edhe […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha të mërkurën mbrëma se Irani “me siguri” do të marrë pjesë në Kupën e Botës, pavarësisht luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në forumin “Invest in America” të CNBC-së, Infantino theksoi se është e rëndësishme që Irani të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026, edhe pse pjesëmarrja e kësaj përfaqësuese është vënë në pikëpyetje që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër vendit.

“Ekipi kombëtar iranian do të vijë me siguri. Shpresojmë që deri atëherë, sigurisht, situata të jetë e qetë. Siç thashë, kjo me siguri do të ndihmonte. Por Irani duhet të vijë. Sigurisht, ata përfaqësojnë popullin e tyre. Ata u kualifikuan. Lojtarët duan të luajnë”, ka thënë Infantino.

Dy javë më parë, Infantino u takua me ekipin kombëtar iranian në Antalia të Turqisë dhe të mërkurën tha se ishte i impresionuar nga ajo që pa.

“Shkova t’i takoja. Ata janë në fakt një ekip mjaft i mirë. Dhe ata me të vërtetë duan të luajnë dhe kanë nevojë të luajnë. Sporti duhet të jetë jashtë politikës tani”.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se ndarja e sportit dhe politikës nuk është gjithmonë e mundur.

“Në rregull, ne nuk jetojmë në hënë, ne jetojmë në planetin Tokë. Por e dini, nëse askush tjetër nuk beson në ndërtimin e urave dhe në mbajtjen e tyre të paprekura dhe të lidhura, atëherë ne e bëjmë punën”, përfundoi i pari i FIFA-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojnë Kupën e Botës së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

Sipas orarit aktual, Irani është planifikuar të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në Ingleëood të Kalifornisë dhe një në Seattle.

Lufta i thelloi më tej dilemat rreth pjesëmarrjes së Iranit në Kupën e Botës. Zyrtarët shtetërorë dhe të futbollit iranian bënë deklarata kontradiktore në publik, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump e dekurajoi ekipin iranian nga pjesëmarrja në turne, duke përmendur arsye sigurie. /Telegrafi/