Portali mortor në Zvicër shpall gabimisht të vdekur dy vëllezër, 7 dhe 12 vjeç

Bota

Të dy fëmijët janë gjallë, ndërsa kompania përgjegjëse për portalin ka pranuar gabimin, ka fshirë njoftimet dhe i ka kërkuar falje babait të tyre. Një portal online për njoftime mortore në Zvicër ka publikuar gabimisht nekrologji për dy vëllezër, 7 dhe 12 vjeç, nga kantoni i Aargaut. Rasti u zbulua pasi babai i dy fëmijëve […]

Madhësia e shkronjave

Të dy fëmijët janë gjallë, ndërsa kompania përgjegjëse për portalin ka pranuar gabimin, ka fshirë njoftimet dhe i ka kërkuar falje babait të tyre.

Një portal online për njoftime mortore në Zvicër ka publikuar gabimisht nekrologji për dy vëllezër, 7 dhe 12 vjeç, nga kantoni i Aargaut.

Rasti u zbulua pasi babai i dy fëmijëve vuri re njoftimet në platformën Todesanzeigen.ch dhe kontaktoi kompaninë përgjegjëse, përmes formularit të kontaktit, duke sqaruar se të dy djemtë janë gjallë, raporton Watson.

Kompania Famads AG, e cila administron platformën, i fshiu njoftimet dhe i kërkoi falje zyrtarisht familjes.

Sipas kompanisë, gabimi u shkaktua nga një problem teknik gjatë përpunimit të të dhënave nga një burim informacioni. Përfaqësuesit e saj e cilësuan incidentin si një gabim serioz që nuk duhej të ndodhte.

Gabimi nuk u vërejt as gjatë kontrollit

Sipas deklarimit të kompanisë, njoftimet e pasakta nuk u identifikuan as gjatë një kontrolli të brendshëm nga një punonjës, transmeton Telegrafi.

Famads AG sqaroi se inteligjenca artificiale nuk ishte e përfshirë në këtë rast.

Kompania bëri të ditur se platforma përmban rreth dy milionë regjistrime dhe se, sipas saj, një rast i tillë nuk ishte regjistruar më parë.

Megjithatë, ajo nuk e shpjegoi plotësisht se si dy fëmijë të gjallë u paraqitën gabimisht si të vdekur në portal.

Rasti ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e verifikimit të të dhënave para publikimit të njoftimeve mortore, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim të madh te familjarët./Telegrafi/

Komentet