Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet L.K., i dyshuar për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë më 22 tetor, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.
Në kuadër të hetimeve janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore, përfshirë shitjen dhe blerjen e simuluar të artikujve, shërbimeve apo sendeve, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Prokuroria ka bërë të ditur se, deri në këtë fazë të hetimeve, dyshohet se dëmi i shkaktuar viktimës tejkalon 50 mijë euro.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria në koordinim me AKI-në, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente.
