Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht ndalimin e këngëtarit Jozefin Marku, i njohur si Jozi, lidhur me konfliktin e ndodhur pak ditë më parë me Eduart Kuçin në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bëhet e ditur se, pas verifikimeve të kryera lidhur me një video të publikuar në rrjetet sociale, autoritetet kanë identifikuar vendin ku ishte filmuar ngjarja dhe kanë vijuar hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
“Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, ‘Plagosja e lehtë me dashje’, ‘Kanosja’, ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’ dhe ‘Ndërhyrja e padrejtë në jetën private’”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Bashkë me Jozefin Markun është ndaluar edhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”. Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të banesës së K. N., autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni, si dhe automjetin tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas Policisë, personat e ndaluar dyshohet se, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Përveç njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit ka publikuar edhe pamjet nga momenti i ndalimit të personave të dyshuar, si dhe momentet kur ata mbërrijnë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Në pamjet e publikuara nga autoritetet shihen momentet e shoqërimit të të ndaluarve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Policia ka bërë të ditur se po punohet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/






