Lionel Scaloni nuk arriti t’i mbante lotët pas humbjes së Argjentinës me rezultat 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke dhënë një konferencë për shtyp plot emocione që përfundoi para kohe.
Përzgjedhësi argjentinas u shfaq i prekur teksa foli për rrugëtimin e skuadrës së tij dhe vështirësinë për të ndërtuar sërish një grup të tillë.
“Të gjithë ne në stafin teknik kemi menduar për të qenë në këtë moment. Por për të vazhduar më tej duhen shumë gjëra, mbi të gjitha të rifillosh gjithçka nga e para”.
“Të ndërtosh sërish një grup si ky është shumë e vështirë… dhe kjo më dhemb në shpirt”.
Më pas ai u ngrit nga karrigia dhe u largua nga konferenca.
Pavarësisht humbjes, Argjentina e çoi Spanjën në vazhdime edhe pse luajti me një futbollist më pak, ndërsa Scaloni la të kuptohej se ndeshja mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër nëse skuadra e tij do të kishte mbetur me 11 lojtarë në fushë.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, pati vetëm fjalë vlerësimi për homologun e tij.
“Më vjen shumë keq për atë që po kalon. Megjithatë, ai duhet të jetë i lumtur. Ka thyer çdo rekord. Ka ende shumë përpara. Është i ri. Madje i thashë se është shumë më i ri se unë dhe ka ende shumë futboll përpara”.
Kontrata e Scalonit me Federatën Argjentinase të Futbollit përfundon në dhjetor dhe ai ka konfirmuar se do ta respektojë deri në fund./Telegrafi/






