Nga 50 deri në 300 euro për operacione, aktakuzë ndaj dy mjekëve në Vushtrri dhe nëntë personave të tjerë

Nacionale

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë për marrje ryshfeti, si dhe ndaj nëntë personave të tjerë për dhënie ryshfeti. Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Sipas Prokurorisë, të pandehurit V.R. dhe E.S., në cilësinë e mjekëve në Spitalin e […]

Madhësia e shkronjave

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë për marrje ryshfeti, si dhe ndaj nëntë personave të tjerë për dhënie ryshfeti.

Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit V.R. dhe E.S., në cilësinë e mjekëve në Spitalin e Vushtrrisë, dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar para në shuma të ndryshme në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore për pacientë.

Mjeku V.R. dyshohet se ka pranuar ryshfet në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. në tri raste.

Ndërkaq, nëntë personat e tjerë, F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K., akuzohen për dhënie ryshfeti.

Sipas aktakuzës, ata dyshohet se, drejtpërdrejt ose përmes personave të tjerë, u kanë premtuar, ofruar apo dhënë mjekëve shuma parash nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për kryerjen e operacioneve ndaj familjarëve të tyre.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.