65 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar të shtunën para Kryeministrisë në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, nga personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 37 janë efektivë të Policisë, 24 protestues dhe katër kalimtarë, mes tyre edhe një i mitur.

Aktualisht, 12 persona vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës (SUT), ndërsa të tjerët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, bilanci i pesë ditëve të protestave në Tiranë ka arritur në 272 persona të lënduar. Prej tyre, 169 janë punonjës të Policisë, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
Protesta e 17 tetorit ishte e pesta e zhvilluar para Kryeministrisë, ku ditët e fundit janë regjistruar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Bilanci i të lënduarve pasqyron përmasat e përplasjeve gjatë protestave, të cilat kanë shoqëruar mobilizimin e opozitës dhe qytetarëve në kryeqytetin shqiptar.





