Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me raportimet për largimin e mundshëm të Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë, duke bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje.
Në një përgjigje për Telegrafin, Zyra për Informim e PDK-së ka theksuar se Hamza ka deklaruar publikisht se me hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë për kryetar.

“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PDK-së për Telegrafin.
Raportimet për largimin e Hamzës nga PDK-ja, flasin Ganimete Musliu dhe Xhavit Haliti
Tutje, nga kjo parti kanë bërë të ditur se aktualisht janë të përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, në fazën e apelit.
“Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, thuhet më tej në përgjigjen e PDK-së.
Reagimi i partisë vjen pas raportimeve për një largim të mundshëm të Hamzës nga drejtimi i saj dhe për emrin e personit që mund ta ushtrojë detyrën e kryetarit.
Ndërkohë, të pyetur nga Telegrafi për këtë çështje, Xhavit Haliti ka deklaruar se nuk ka dëgjuar për një zhvillim të tillë, ndërsa Ganimete Musliu ka thënë se ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje. /Telegrafi/





